Meta: PD refuzoi bashkëpunimin

14/04/2014 00:00

Reagimi i parë i mazhorancës për qëndrimet e opozitës për reagim popullor për reformën territoriale, ka ardhur nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

“Kërcënimi për protesta mbetet e drejtë e opozitës, por që tingullon absurd kur ka një konsensus të ofruar në mënyrë bujare, për një reformë të kërkuar jo vetëm nga qytetarët por edhe ndërkombëtarët”, deklaroi Meta.

Nga selia e LSI-së, kryeparlamentari kujtoi se mazhoronca megjithëse i ka votat në Kuvend, prej 3 muajsh është duke pritur opozitën që të bëhet pjesë e një procesi ku i është garantuar barazia me mazhorancën, që hedh poshtë sipas tij pretendimet për ultimatume dhe arrogancë të qeverisë.

“Por natyrisht që koha ikën dhe ka disa afate kushtetuese për të realizuar këtë reformë dhe dëshira jonë është që opozita të marrë përgjegjësitë dhe të tregojë vullnet për t’u bërë pjesë e saj”, tha Meta.

Kreu i LSI ftoi gjithashtu opozitën të bëhet e përgjegjshme, duke u tërhequr nga akuzat për Forcat e Armatosura dhe policinë, pasi tha ai cënojnë rendin dhe sigurinë publike.

Më tej, Meta dha mbështetjen dhe vlerësimin maksimal për numrin një të Ministrisë së Brendshme, Saimir Tahiri. I pyetur nëse mesazhi i lexuar në komisionin hetimor ka dalë nga SHISH, Meta u përgjigj se i bashkohet qëndrimit se politika që po bën opozita është ajo nga “vrima e çelësit”, ndërsa shprehu besimin e tij se mesazhi që u është nisur nga Tahiri- vartësve të tij tregon përgjegjshmërinë e ministrit.

“Padashur opozita i vuri një medalje në gjoks ministrit Tahiri. Teksti i mesazhit të zotit Tahiri u është dërguar vartësve të tij dhe tregon ndjeshmërinë e tij për situatën konkrete dhe vullnetin për të motivuar vartësit, shtoi Meta.

Top Channel