Kansas, të shtëna në komunitetin hebre

14/04/2014 00:00

Tre persona, përfshirë një të moshuar me nipin e tij, janë qëlluar për vdekje me armë zjarri në ambjentet e një komuniteti hebre, në Kansas Siti të Shteteve të Bashkuara.

Të shtënat ndodhën pikërisht në Kampusin e Komunitetit Hebre në Overlend Park, në afërsi të një qendre të banuar të njohur ndryshe si Fshati Shalom.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, që citojnë burime policore, një burrë i bardhë me mjekët dhe në të 70-at është ndaluar dhe po mbahet nën mbikëqyrje.

Ndërkohë, një spital lokal njoftoi se po mjekon një djalë adoleshent që ka marrë plagë nga të shtënat dhe që aktualisht ndodhet në gjendje kritike.

Mësohet se gjyshi dhe nipi 14-vjeçar u vranë në një parking makinash në Kampusin e Komunitetit Hebre, ata ishin të dy të krishterë.

Ndërsa viktima tjetër, një femër, u qëllua për vdekje në Fshatin Shalom, që është më tepër një shtëpi-azil disa rrugë më posht qendrës së komunitetit.

Presidenti Barack Obama reago lidhur me ngjarjen duke e cilësuar atë si “zemërthyese” dhe bëri thirrje për mbështetjen e të gjithë qeverisë federale.

Televizionet lokale treguan pamje të policisë teksa arrestonte të dyshuarin në vendin e ngjarjes. Rezulton që ai të ketë bërtitur “Heil Hitler” kur është futur në makinën e forcave të rendit.

Policia deklaroi se ai nuk është banor i zonës dhe se përdori një armë të tipit shotgun në sulmet në fjalë. Megjithatë, autoritetet po punojnë për të zbuluar nëse ai ka përdorur armë të tjera.

Top Channel