Tre ditë përpara seancës parlamentare të së enjtes, ku drejtuesit e mazhorancës paralajmëruan ndryshimin e vendimit të Kuvendit për funksionimin e komisionit të reformës territoriale, në rast se opozita nuk zë vendet në të, kryetari i demokratëve Lulzim Basha u kundërpërgjigj ndaj këtij afati që e quajti ultimatum, me paralajmërimin për reagim popullor. Ai mblodhi drejtuesit e pushtetit vendor të së djathtës dhe grupin parlamentar, ku deklaroi vendimin.

“Tentativat e zotit Rama, që në emër të shumicës së tavolinës prej 84 votash, të bëjë një reformë të njëanshme do të kenë reagimin tonë të fuqishëm. Ky takim ka edhe këtë qëllim, të japë mesazhin për një reagim mbarëpopullor. Së bashku do të përcaktojmë dinamikën e këtyre veprimeve nëse detyrohemi të nisim betejën tonë në rrugë dhe në sheshe. Një gjë duhet ta bëjmë të qartë, vetëm pranimi i konsensusit mund të na kthejë nga kjo rrugë, asgjë tjetër”, deklaroi Basha.

Megjithëse opozitës i është garantuar bashkëkryesimi i komisionit të reformës territoriale, numri i barabartë i anëtarëve dhe e drejta e vetos, kreu i demokratëve e cilësoi këtë një kurth dhe hile për opozitën.

Duke e cilësuar një pseudoreformë, Basha tha se ajo është vetëm territoriale dhe jo administrative, duke sqaruar se në rast të kundert ajo do të përmbante edhe rritje të kompetencave të pushtetit vendor, ndryshim të mënyrës së zgjedhjes së drejtuesve lokalë e deri tek ndryshimi i Kodit Zgjedhor.

Por nxitimi, siç e quajti ai, për të bërë këtë anti-reformë ka vetëm një qëllim: “Për të bërë salamandrën e re elektorale me qëllim për të marrë zgjedhjet e pushtetit vendor”, tha Basha.

Kreu i demokratëve paralajmëroi se reagimi popullor është për atë që e quajti, ndarje sipas stilit të aparteidit afrikano-jugor të fondeve të qeverisë për pushtetin vendor, të miratuar përpara pak ditësh, ku sipas Bashës, 92% e këtyre parave kanë shkuar për njësitë e majta.

“Nëse zoti Rama mendon se do të përdorë luftën e klasave në ndarjen e parave të buxhetit të shtetit, taksapaguesve iu lind e drejta e rebelimit dhe refuzimit, siç i garanton Kushtetuta sovranit”, shtoi Basha.

Top Channel