Alarmi për klimën

14/04/2014 00:00

Reduktoni gati në zero emetimin e gazeve shkaktare të efektit serë dhe për frenimin e ngrohjes globale, mund të ketë ende pak shpresë.

Ekspertët e klimës dhanë alarmin pas verifikimeve që tregojnë rritjen e pranisë së gazit karbonik, bashkë me të cilën shtohet edhe rreziku për katastrofa globale.

Por nëse veprohet tani, mundësia për një stabilizim të situatës ekziston. Megjithë përpjekjet, bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur që t’i reduktojë emetimet e dëmshme për klimën, perkundrazi nxjerrja e gazrave të efektit serë është shtuar në periudhën 2000 deri 2010 më fort se në çdo dekadë tjetër që prej vitit 1970.

Në këtë përfundim arrijnë ekspertët e Këshillit Botëror të Klimës, në raportin e tyre të fundit, i cili u prezantua në Berlin. Pavarësisht perspektivës së zymtë, raporti me titull “Zbutje e ndryshimit të klimës” thekson sidoqoftë se ka ende shanse për të ndërmarrë një kthesë.

Në mënyrë që të kufizohet rritja e ngrohjes së tokës në maksimum 2 gradë Celsius, sipas ekipit ndërkombëtar të autorëve nevojitet një kombinim i masave politike dhe teknike. Vetëm po të mos kalohet kufiri i dy gradëve mund të limitohen katastrofat gjithnjë e më të shpeshta natyrore si përmbytjet dhe thatësirat.

“Mesazhi shkencor është i qartë: për të shmangur mungesa të rrezikshme të ekuilibrit të sistemit klimatik, ne nuk mund të veprojmë si deri tani”, deklaruan ekspertët.

Sipas shkencëtarëve, në fund të shekullit të 21-të nuk duhet të ketë më thuajse fare gazra të efektit serë, nëse do të ketë një shans për një jetë cilësore për njerëzit dhe ambjentin.

Autorët e raportit nuk lënë asnjë dyshim se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë shpejt dhe të ndërmarrë një sërë masash, nëse synon fillimisht ta stabilizojë situatën duke frenuar rritjen e nxjerrjes së gazrave të dëmshëm për ambjentin.

Top Channel