“Çfarë del në dyqanet tona duhet të dalë edhe në BE”, Rama: Thertoret të ndajnë mbetjet që nuk janë për konsum Partia Socialiste akuzoi opozitën se po shpif ndaj ushtrisë dhe policisë. Deputeti Besnik Bare tha se demokratët po marrin në mbrojtje shpërdoruesit e detyrës.
“Sulmi i vazhdueshëm i opozitës me shpifje, akuza të paqena ndaj ushtrisë dhe policisë, është jo vetëm i ulët por dhe shprehje e dëshpërimit të një opozite, që ende nuk e ka kuptuar arsyen se përse më 23 Qershor populli e votoi për të dalë në opozitë. Qeveria e kaluar la pas një situatë të rënduar sa i takon sigurisë. Drejtuesit politikë të forcave të Rendit dhe të Forcave të Armatosura ishin zhytur në korrupsion dhe ishin kthyer në një simbol të paaftësisë, si dhe lidhjeve me krimin e organizuar dhe trafikun. Pikërisht tani, kur çdo ditë dalin në pah fakte të reja, që dëshmojnë shpërdorimin e detyrës të ish-funksionarëve të lartë të qeverisë së kaluar, opozita jo vetëm ka marrë në mbrojtje politike shpërdoruesit e detyrës, por sulmon në mënyrë të turpshme Forcat e Armatosura dhe forcat e Rendit”, u shpreh deputeti socialist, Besnik Bare.
PD: Ushtria në trafikun e drogës
Opozita, kërkesë për seancë dëgjimore me ministren Kodheli
Por, nga selia blu u përgjigj deputeti Flamur Noka. Ai akuzoi sërish Ministrinë e Mbrojtjes për trafikun e drogës dhe tha se nesër, në Komisionin e Sigurisë, do të depozitohet një kërkesë për seancë dëgjimore me ministren Kodheli, për këtë çështje.
“Ndërkohë që Forcat e Armatosura gjenden përballë akuzës më të rëndë në historinë e shtetit shqiptar, se bazat e saj janë përfshirë në trafikun e drogës, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka 4 ditë që është zhdukur dhe, papritur, na del në skenë një ambientalist. Ambientalisti që doli sot nuk iu përgjigj dot pyetjeve të opozitës dhe të mbarë publikut tashmë, se a ka informacion ministrja e Mbrojtjes për përfshirjen e institucionit në trafikun e drogës. Zonja ministre, mos u fshih, por përgjigju! Partia Demokratike do të depozitojë nesër në Komisionin e Sigurisë, kërkesën për seancë dëgjimore urgjente me ministren e Mbrojtjes, për ta zbardhur këtë skandal, më i rëndi në historinë e Forcave të Armatosura”, deklaroi nga selia blu, deputeti Flamur Noka.
Top Channel