Operacioni i Kievit ndaj pro-rusëve

13/04/2014 00:00

Ushtria ukrainase ndërmori një operacion kundër aktivistëve pro-rusë që kanë marrë nën kontroll komisariatin e policisë, në qytetin e Slovianskut, në lindje të vendit.

Ministri i Brendshëm Arsen Avakov, përmes faqes së tij në Facebook, shpjegoi se të gjitha njësitë e sigurisë janë përfshirë në operacionin anti-terrorizëm.

“Separatistët po qëllojnë për të vrarë pa asnjë paralajmërim kundër forcave speciale”, tha ai.

Të shtunën, persona të armatosur, të veshur me kamuflazh, zaptuan komisariatin e policisë dhe një ndërtesë të administratës lokale në Sloviansk dhe në dy qytete të tjerë të lindjes: Kramatorsk dhe Druzhkovka.

Udhëheqësi i protestës i tha BBC-së se “aktivistët nisën të veprojnë për të mbështetur ata në Donjeck”.

Gazetarët e BBC-së në Sloviansk thonë se personat e armatosur janë të organizuar mirë dhe kontrollojnë thuajse të gjithë qytetin. Pika kontrolli janë ngritur në rrugët kryesore.

Protestuesit pro-rusë vazhdojnë të mbajnë të pushtuar prej një jave ndërtesën e administratës lokale në Donjeck. Rusia paralajmëroi më heret se çdo përdorim force në Ukrainën Lindore do të rrezikonte bisedimet që do të zhvillohen të enjten në Gjenevë.

Shtetet e Bashkuara akuzojnë Moskën se po shkakton trazirat, por autoritetet ruse e mohojnë këtë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Llavrov, tha se qeveria e Kievit po “tregon paaftësi për të marrë përgjegjësinë për fatin e vendit”.

Por, Shtetet e Bashkuara flasin për “një fushatë të bashkërenduar nga forcat me ndihmën ruse, për të minuar qeverinë e Ukrainës”. Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, paralajmeroi për pasoja nëse Rusia nuk ul tensionet dhe nuk tërheq trupat nga kufiri me Ukrainën.

Top Channel