NATO e shqetesuar per Ukrainen

13/04/2014 00:00

Sekretari I Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmusen u shpreh i shqetësuar për situatën në lindje të Ukrainës, duke vendosur paralele me aneksimin e Krimesë.

Ai e cilësoi si “një zhvillim të rëndë” shfaqjen e personave të armatosur me armë ruse dhe që mbajnë uniforma pa simbole, njësoj siç ndodhi në marrjen e paligjshme të Krimesë”.

Presidenti i Ukrainës, Oleksander Turcinov foli për nisjen e një operacioni në shkallë të plotë, pasi aktivistet pro-ruse morën nën kontroll ndërtesat qeveritare.  Ai tha se nuk do të lejojë përsëritjen e ngjarjeve qe çuan në aneksimin e Krimesë, muajin e kaluar.

Mëngjesin e së dielës, ushtria ukrainase ndërmori një operacion anti-terrori në qytetin lindor Sloviansk. Një oficer ukrainas humbi jetën gjate përleshjeve të armatosura dhe pas kësaj operacioni u pezullua.

Të shtunën, persona të armatosur, me veshje kamuflazhi zaptuan komisariatin e policisë edhe një ndërtesë të administratës lokale në këtë të qytet dhe bënë të njëjtën gjë në Kramatorsk dhe Druzhkovka. Madje, sipas raportimeve të pakonfirmuara, disa ndërtesa janë plotësisht nën kontrollin e aktivistëve pro-rusë, edhe në qytetet Mariupol dhe Jenakievo.

Rusia paralajmëroi më herët se çdo përdorim force në Ukrainën Lindore do të rrezikonte bisedimet që do të zhvillohen të enjten në Gjeneve.
Shtetet e Bashkuara akuzojnë Moskën se po shkakton trazirat, por autoritetet ruse e mohojnë këtë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se qeveria e Kievit po “tregon paaftësi për të marrë përgjegjësinë për fatin e vendit”.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry paralajmëroi për pasoja nëse Rusia nuk ul tensionet dhe nuk tërheq trupat nga kufiri me Ukrainën.

Top Channel