Masat për ngrohjen globale

13/04/2014 00:00

“Energjia e rinovueshme është përgjigjia për ngrohjen globale, ndërsa situata po përkeqësohet me kalimin e viteve”.

Raporti prej 33 faqesh i OKB-së, i publikuar në Berlin, thotë se “çdo vit emetohen 1 miliard ton gaze serrë në atmosferë dhe objektivi është ulja e tyre me të paktën 40% brenda vitit 2050”.

Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimin e Klimes (IPCC), që hartoi raportin, “mes viteve 2000 dhe 2010 emetimet janë shtuar më shpejt se në tri dekadat e mëparshme”.

Ekspertët janë të mendimit se “gazi natyror është zgjidhja për ta larguar prodhimin e energjisë nga nafta dhe qymyri”.

Megjithatë, ka pasur debate mes pjesëmarrësve, se kush do të paguajë për  kalimin e kësaj energjie. Një prej tre kryetarëve, të grupit të punës së IPCC për ngrohjen globale, tha qartazi se “për të shmangur ndërhyrjet e rrezikshme me klimën duhet të ndryshojmë zakonet tona”.

Për të mbërritur në rezultatin e paraqitur, ekspertët analizuan mbi 1200 skenarë të mundshëm të përpunuar nga 31 ekipe ndërkombëtare. Ajo që mungon në raporton përfundimtar është një analizë e vëmendshme e shkaqeve të shtimit të vazhdueshëm të emetimeve.

Në dokumentin prej 33 faqesh, që do të shërbejë si një udhërrëfyes për bisedimet e 2015-s mbi klimën, mungon një pjesë nga versioni që rrodhi muaj më parë.

Në ato faqe, përgjegjës për emetimet ishte rritja e kërkesës për energji nga vendet në zhvillim, si për rritjen e popullsisë, ashtu edhe për ekspansionin ekonomik. Me pak fjalë drejtohej kundër Kinës, një prej vendeve më të mëdha në zhvillim. Grafikët, që lidheshin me këtë pjesë, u fshinë nga versioni përfundimtar.

Top Channel