PD: SMS e Tahirit, dëshmi e dështimit

12/04/2014 00:00

Nga selia e PD-së, deputeti Gent Strazimiri akuzoi ministrin e Brendshëm
Saimir Tahiri se para Komisionit Hetimor, gënjeu nën betim në lidhje me
treguesit e kriminalitetit dhe disa momente të rëndësishme të
aktivitetit të tij në krye të rendit dhe sigurisë.

“I vetmi kontribut i ministrit, i dhënë aksidentalisht dje ne Komisionin Hetimor, ishte që nëpërmjet pranimit të sms-së së famshme, ka pranuar se në krahasim me vitin 2013, treguesit e krimit, citoj: “janë përkeqësuar”, që “vrasjet janë dyfishuar”, që ka një “lëshim skandaloz të punës”, dhe “neglizhencë fatale”. Dhe në fund që kjo situatë ‘është e trishtë dhe e rëndë për qytetaret'”, tha deputeti i PD-së.

Strazimiri gjithashtu akuzoi ministrin Tahiri për dëshmi të rreme gjatë përgjigjeve përpara Komisionit Hetimor, duke iu referuar vrasjes së një personi sipas tij të afërt me ministrin.

LSI: Mbështetje Policise së Shtetit

Ndërsa Petrit Vasili nënkryetar i LSI deklaroi se opozita duhet të sillet si një opozitë e vitit 2014 dhe jo si ajo e 1997. Vasili theksoi mbështetje, jo vetëm për punën e ministrit Tahiri, por për të gjithë efektivat e rendit.

“Sa i takon LSI-së ne do të vazhdojmë të mbështesim pa asnjë ekuivok dhe në mënyrë të vendosur çdo përpjekje, çdo tentativë, çdo arritje të Policisë së Shtetit. Do të mbështesim veprimtarinë e saj, që nga kupola e saj më e lartë drejtuese politike dhe gjatë gjithë zinxhirit të saj të komandimit. Opozita, për fat të keq në stilin e shërbimeve famëkeqe që ky vend ka pasur fatin e keq të përballet, demonstroi një SMS të Ministrit Tahiri, e cila në vlerësimin tim, në atë që u lexua dhe u bë publike ishte shprehje e qartë e një përgjegjshmërie maksimale të ministrit. Gjithçka tjetër për mua, ka bërë dhe duhet ndjekur me instrumentet e duhura, por thelbi politik i asaj që ne pamë ishin dy momente. Një përgjegjshmëri maksimale dhe shqetësim pa doreza i Ministrit, i cili duhet përshëndetur dhe duhet mbështetur, dhe një stil, do të thosha shumë i urryer për shqiptarët, ai stili që bëhet nga vrima e çelësit”, tha Vasili.

Top Channel