SHBA përballë një paradoksi, njeriu që drejton kartelin më të rrezikshëm të drogës është… amerikan
Dy bomba të vendosura nga rebelët kanë vrarë të paktën 12 persona në lindje të Indisë, në shtetin e Çatisarhit, teksa në mbarë vendin vazhdojnë votimet për zgjedhjet e përgjithshme.
Shpërthimi i parë përfshiu një autobus që mbante zyrtarë përgjegjës për zgjedhjet, shtatë nga të cilët humbën jetën. Ndërsa i dyti, që ndodhi vetëm gjysmë ore më vonë, vrau pesë policë që po udhëtonin në një makinë ambulance.
Autoritetet kanë deklaruar se shpërthimi i parë u realizua me një minë tokësore, teksa autobusi po udhëtonte nga një qytet në tjetrin. Si pasojë katër persona mbetën të plagosur. Disa persona mbetën gjithashtu të lënduar në sulmin e dytë, që ndodhi në një fshat, saktësuan autoritetet.
Rebelët në vend kanë realizuar sulme të shumta në dekadat e fundit, në kuadër të fushatës së tyre që të varfërit të kenë një pjesë më të madhe të pasurive natyrore të Indisë.
Zgjedhjet e përgjithshme në Indi zgjasin plot pesë javë. Votimet filluan të hënën e kaluar. Në shtete të ndryshme të vendit procesi ka avancuar në faza të ndryshme.
Dita e më e rëndësishme e votimit ka qenë ajo e së martës, pasi ka regjistruar numrin më të madh të votuesve, duke arritur në disa milionë, në 14 shtete.
Mbi 814 milionë indianë kanë të drejtë vote. Një partie ose koalicioni i duhet minimumi 272 vende nga 543 që ka gjithësej dhoma e ulët e Parlamentit për të formuar qeverinë.
Partia në pushtet, Partia e Kongresit, e drejtuar nga Rahul Gandhi, lufton këtë herë kundër asaj opozitare BJP, të drejtuar nga nacionalisti hindu Narendra Modi.
Megjithatë, subjekti anti-korrupsion Partia e Njerëzve të Zakonshëm, po korr vota të shumta në bastionin e saj, kryeqytetin Delhi, duke u bërë një rivale serioze.
Top Channel