Ukrainë, kryeministri shkon në lindje

11/04/2014 00:00

Kryeministri i përkohshëm i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk po udhëton drejt
lindjes së vendit, në përpjekje për t’i dhënë fund përballjes me
protestuesit pro-rusë.

Yatsenyuk do të vizitojë qytetin e Donetskut, ku aktivistët kanë shpallur “republikën e popullit”. Ai do të takohet me liderët lokalë, përfshirë guvernatorin e rajonit të Donetskut dhe kryetarin e bashkisë së qytetit.

Vizita ndodh në një kohë kur tensionet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara janë ngritur për shkak të kërcënimeve të Moskës me gazin dhe lëvizjes së trupave të saj. NATO thotë se rreth 40 mijë trupa ruse janë vendosur në afërsi të kufirit me Ukrainën.

Një zëdhënës i kryeministrit deklaroi se ai pritet të diskutojë për mundësinë e transferimit të disa kompetencave tek rajonet e Ukrainës.

Zoti Yatsenyuk pritet të udhëtojë gjithashtu në qytetin tjetër lindor të Dnipropetrovskut, ku janë verifikuar edhe protesta. Sikurse në Donetsk, edhe në qytetet tjetër lindor të Luhanskut aktivistët pro-rusë kanë zaptuar ndërtesat qeveritare.

Autoritetet ukrainase po përpiqen të negociojnë një marrëveshje, në kuadër të të cilës protestuesit do të lirojnë ndërtesat në këmbim të mbrojtjes nga ndjekja penale.

Ministri i Brendshëm Arsen Avakov tha të mërkurën se priste që situata në lindje të vendit të kthehej në normalitet brenda 48 orëve, “përmes negocimit ose forcës”.

Kievi akuzon Moskën për trazirat, njësoj si protestat që përfshinë Krimenë e çuan në aneksimin e gadishullit muajin e kaluar nga Rusia, e cila i mohon akuzat.

Top Channel