Papa Françesku: Ndjesë të abuzuarve të Kishës

11/04/2014 00:00

Papa Françesku u kërkoi ndjesë të gjitha viktimave të abuzimit seksual të priftërinjëve të Kishës Katolike ndër vite.

Në një deklaratë të publikuar nga radio e Vatikanit, Ati i Shenjtë e përshkroi abuzimin si “një dëmtim moral të kryer nga njerëzit e kishës” dhe shtoi se sanksione do të ndërmerren ndaj autorëve të tyre.

Kjo cilësohet si deklarata më e fortë e Vatikanit për cështjen e abuzimeve. Muajin e kaluar Papa Françesku mbrojti fort masat e marra prej Selisë së Shenjtë për të parandaluar fenomenin, duke rrëzuar kritikat e forta që mbërrinin nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Vitin e kaluar, Ati i Shenjtë ngriti një komitet për identifikimin dhe dhënien e ndihmës për viktimat e abuzimit, hap ky që e vendosi në qendër të kritikave të disa katolikëve duke e cilësuar këtë si “hap që njeh dëmin dëmin moral dhe mendor, por që dëmton reputacionin e Vatikanit”.

“Ne nuk do të kthehemi asnjë hap pas në vendimet tona për t’u përballur me këtë problem dhe sanksione do të ndërmerrem, madje ne duhet të tregohemi akoma më të ashpër”, deklaroi Ati i Shenjtë.

Një muaj më parë në një raport, OKB akuzoi Vatikanin se “vazhdimisht ka mbrojtur klerikët abuzues duke vendosur në rend të parë ruajtjen e reputacionin e tij”. Ndër vite Kisha Katolike është akuzuar për abuzime me fëmijët nga ana e priftërinjëve të saj dhe për mosveprim ndaj klerikëve abuzues.

Top Channel