K. Veriut: SHBA, hipokrite e me dy standarde

11/04/2014 00:00

Korea e Veriut ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për hipokrizi, teksa kanë qëndruar të heshtur për një testim raketor nga ana e Koresë së Jugut, ndërkohë që ka dënuar ashpër lëshimin e raketave së fundi nga Peniani.

“Sjellja e dyfishtë e SHBA-ve dhe mënyra e neveritshme e veprimit ka dalë në pah”, tha një zëdhënës i Komisionit të Mbrojtjes Kombëtare (NDC), në Korenë e Veriut, përmes një deklarate të së premtes, siç raporton agjencia e lajmeve AFP.

Deklarata, e publikuar fillimisht nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, vjen në një periudhë të tensionuar ushtarake, ndërkohë që Peniani kërcënon për një “tip të ri” të testimeve bërthamore.

“Për sa kohë që SHBA-të vazhdojnë me politikën e tyre të jashtme armiqësore, sipas standardeve të tyre të dyfishta arbitrare, despotike apo si prej gangsterësh, Korea e Veriut do të vazhdojë përpara me kundërmasat për vetëmbrojtje, për t’i dhënë fund kësaj politike”, tha zëdhënësi.

Deklarata e tij ishte e nxitur prej testimeve të Koresë së Jugut, muajin e kaluar, të një rakete të re balistike, e aftë të mbante një fuqi plasëse prej 1 ton, ndaj çdo pjese të Koresë së Veriut. Raketa ishte zhvilluar bazuar mbi marrëveshjen e arritur në 2012-n me Shtetet e Bashkuara, për të trefishuar thuajse rrezen e sistemit raketor balistik të Koresë së Jugut.

Zëdhënësi i tha se heshtja që pasoi lëshimin e Koresë së Jugut, ishte në kontrast të thellë me dënimin e SHBA-ve dhe OKB-së ndaj 2 testimeve të fundit të Veriut, për dy raketa balistike me rreze të mesme veprimi.

Rezolutat e Këshillit të Sigurisë në OKB ndalojnë çdo testim të raketave balistike nga ana e Koresë së Veriut.

“Nëse lëshimet e raketave balistike nga forcat “kukulla” të Koresë së Jugut nuk janë problematike, atëherë edhe lëshimi i satelitëve apo raketave nga Veriu s’ka përse të përbëjë problem”, tha zëdhënësi.

Korea e Veriut lëshoi me sukses një satelit në orbitë, në Dhjetor 2012, me një raketë që Peniani tha se ishte dizenjuar për misione të pastra shkencore. Komuniteti ndërkombëtar bëri të ditur se ai ishte një testim “i fshehur” raketash balistike dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së përforcoi sanksionet ekzistuese si kundërpërgjigje.

Top Channel