Itali, në kërkim ish-senatori berluskonian

11/04/2014 00:00

Autoritetet italiane të drejtësisë janë vënë në kërkim të ish-senatorit
Marcello Dell Utri, i dënuar me 7 vjet burg për bashkëpunim me
organizatat mafioze.

Mediat italiane raportojnë se ish-senatori është arratisur në Liban, pasi zotëron disa pasaporta diplomatike dhe është gati të largohet prej andej nëse do t’i duhet, duke u transferuar në Guinea Bisau ose në Republikën Domenikane.

Vendimi përfundimtar i Gjykatës së Apelit të Palermos pritet të jepet të martën e ardhshme, por duket se ish-krahu i djathtë i Silvio Berlusconit nuk do të jetë atje për ta dëgjuar.

Që dy vjet më parë, kur Gjykata e Kasacionit duhet të vendoste mbi fatin e tij, ish-senatori u strehua në Republikën Domenikane, por u kthye prej andej kur mësoi se dënimi ishte anuluar me shtyrje.

Këtë herë Prokuroria e Përgjithshme provoi të kërkonte ndalimin e udhëtimit jashtë shtetit të Dell Utrit, pasi zotëron shumë pasaporta diplomatike të vendeve të huaja, por Gjykata e Apelit në Romë, që kishte hedhur poshtë kërkesën për arrestimin e tij vitin e kaluar, e mohoi këtë kërkesë.

Urdhër-arresti ndaj ish-senatorit të Forza Italia u lëshua ditën e martë nga gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Palermos, të njëjtët që në mars të vitit të kaluar konfirmuan dënimin e politikanit me 7 vjet burg për pjesëmarrje në organizatën mafioze siçiliane, Cosa Nostra.

Top Channel