Kriza energjitike, Qeveria akuzon Berishën

10/04/2014 00:00

Kriza në sektorin energjetik ishte në qendër të debateve në seancën
parlamentare të së enjtes, ku ministri i Energjisë Damian Gjiknuri
cilësoi sistemin e shpërndarjes, si pikën më të dobët të këtij sektori,
duke akuzuar për këtë drejtperdrejt ish-Kryeministrin Sali Berisha.

“Të gjitha këto kanë ardhur si pasojë e politikës tënde, për superfuqi energjetike, që në fakt krijove një kufomë energjetike dhe ti je përgjegjësi kryesor i kësaj.Nuk është investuar në sistemin e shpërndarjes për 8 vjet dhe kjo dihet. Asnjë lek nuk është investuar, përkundrazi, i vetmi investim që u bë, u krijua gropa e madhe financiare me atë privatizimin spektakolar të dështuar që bëre dhe që koston vazhdojmë ta paguajmë shumë rëndë për shkak të papërgjegjshmërisë që krijove”, tha Gjiknuri.

Një tjetër çështje e shumëdebatuar ishte ajo e kontratave koncensionare ne hidro-energjetike. Ish-Kryeministri Sali Berisha akuzoi Qeverinë se po çon sektorin e energjisë drejt falimentimit dhe po heq koncensionet per te vjedhur permes importit.

“Po importohet energji me një të tretën e çmimit më lart, ndërkohë dekurajohen prodhuesit vendas, ndërkohë prishen kontratat me ndërtues të hidrocentraleve, ndërkohë bëhet lufta e hapur me ata të cilët do të ndërtonim dhe do i shisnim shtetit me ato çmime import që shteti duhet të blejë kur importon. Por gjithnjë më të leverdisshme sepse, po të lexoni raportin e fundit të Komisionit Europian, çfarë thotë? Po katandiset keq me shpejtësi të madhe bilanci i pagesave, për shkak të rënies në pikiatë të remitencave. Atëherë leverdi kemi të blejmë me lekë këtu, apo të blejmë me euro në Europë, me të njëjtin çmim?” tha Berisha.

Por në këtë pikë, deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe akuzoi Qeverinë e mëparshme, se ka dhënë leje koncensionare pa plotësuar kushtet, ndërsa u ndal edhe tek koncesionet monopol.

“Deri tani, ato kontrata që janë shfuqizuar nga koncesionet janë ekzaktësisht kontrata koncesione që kishin vajtur tek njerëz që nuk e meritonin. Nuk i kanë përdorur për vite të tëra, i kanë mbajtur aty thjesht dhe vetëm për t’i tregtuar, siç i mësove ti. Kurse për pjesën tjetër, zotëri shko, dil përballu me banorët. Ke dhënë leje koncesionare që kanë shkatërruar interesat e komuniteteve. Dil edhe ti dhe shko përgjigju një më një, tek banorët e atyre zonave që po ju merr ujin për vaditje dhe për të pirë. Shko e ktheju përgjigje edhe në Bulqizë, edhe në Dibër, edhe në Librazhd gjithë njerëzve. Nëse do të flasësh për koncesione po ta përsëris që janë katër koncesione, që i keni dhënë ti në kushte monopoli dhe të cilat shqiptarët po paguajnë 45 milionë dollarë në vit. Nuk i merr shteti fare, i arkëtojnë klientët e tu drejtpërdrejt”, tha Braçe.

Rama: CEZ-, lak në qafën e Qeverisë    

Duke folur për çështjen e krizës energjetike, Kryeministri Rama akuzoi ish-Kryeministrin Berisha se i ka lene Qeverise aktuale dhe ekonomise se vendit lakun ne qafe me privatizimin e deshtuar te sistemit te shperndarjes se energjise dhe kontratat me hidrocentraleve private, per blerjen e energjise se tyre disa here me shtrenjte se tregu.

“Po flasim për energjinë, por si është e mundur që të diskutoni dhe të të thoni që keni patur sukses në politikën energjetike, ndërkohë që i keni lënë shqiptarëve në qafë një situatë që është katastrofike, përtej borxhit 1 miliard dollarë mes kompanive dhe mes kompanive dhe bankave, i keni lënë një kompani shpërndarjeje në faliment, CEZ-in. Kush bëri që të ikte kompania që ju e morët, me një privatizim që iu është thënë në Kuvend nga opozita e atëhershme, që të mos e bënit privatizimin sepse ishte i dështuar. Janë fakte. E bëtë! Kush ka përgjegjësi? E kemi ne, që e gjetëm si minë me sahat kompaninë, apo e keni ju që e latë ashtu? Po përgjegjësine për ato koncesionet, duke marrë përsipër që shteti në vazhdimësi për dhjetëra vite, t’jua blejë energjinë me një çmim fiks që e keni caktuar ju, pavarësisht çmimit të tregut dhe duke bërë që shteti të hyjë në një situatë ku të akumulojë borxhe, deri në pikën që të mos jetë më në gjendje të përgjigjet. Nuk duhet të kishte kompani që kanë ndërtuar hidrocentrale bazuar në ato koncesionet tuaja, që të rrinin sot me lakun e borxheve në fyt dhe t’i kërkonin borxhet një shteti që në sistemin energjetik, ka lakun e borxheve në fyt”, tha Rama.

Top Channel