Turqi, sulmohet lideri i opozitës

09/04/2014 00:00

Udhëheqësi i partisë kryesore turke në opozitë, Kemal Kiliçdarollu u sulmua në Parlamentin turk, ndërsa shkonte në takimin e grupit për të mbajtur fjalimin e tij, ku mund të marrin pjesë edhe vizitorët.

Incidenti u rregjistrua nga kamerat e ndërtesës së Parlamentit në Ankara. Personi e goditi me grusht në kohën kur udhëheqësi i Partisë Popullore po ecte në korridor në drejtim të sallës qëndrore.

Ai u ndalua nga forcat e rendit. Kiliçdarollu mbajti fjalimin e planifikuar dhe mori një pritje të ngrohtë nga ligjvënësit dhe përkrahësit.

“Dhuna apo presioni nuk do të na ndalojnë. Ne vijmë nga një brez që asnjëherë nuk është përkulur përpara të tjerëve. Vijmë nga një  brez që luftoi kundër të gjithë botës për betejën e tij. Dikush erdhi dhe më qëlloi me grusht në fytyrë me mendimin se do të zmbrapsemi. Kurrë nuk do të ndodhë. Asnjëherë nuk do të heqim dorë nga bindjet tona”, deklaroi Kiliçdarollu.

Personi që e sulmoi kishte mundur të siguronte kartën e vizitorit. Ai u identifikua si Orhan O dhe kishte qenë i dënuar më parë, por motivi i këtij sulmi mbetet ende i panjohur.

Top Channel