Shpërthime në Homs, 25 viktima

09/04/2014 00:00

Dy autobomba kanë shpërthyer në qytetin sirian të Homsit, duke lënë të vrarë të paktën 25 njerëz, si dhe duke plagosur dhjetra të tjerë, ka bërë të ditur agjencia shtetërore e lajmeve, SANA.

Raporti në fjalë fajëson “terroristët” për shpërthimet, me rreth gjysmë ore diferencë nga njëri-tjetri, në distriktin Karam al-Luz.

Në një zhvillim tjetër, qyteti i kontrolluar nga rebelët, Rankous, në veri të Damaskut, raportohet të ketë rënë në duart e forcave qeveritare. Televizioni shtetëror tha se beteja e fundit për marrjen e Rankous-it, zgjati 18 orë.

Në një raportim të drejtpërdrejtë nga qyteti i rëndësishëm strategjik, raporti thoshte se fitorja e qeverisë erdhi disa javë pas luftimeve intensive.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një grup aktivistësh me bazë në Londër, tha se luftëtarët rebelë janë tërhequr nga Rankous-i pas kërkesës së rezidentëve, pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje. Observatori, i cili ka një rrjet informatorësh në terren, tha se paqja u negociua nga zyrtarët lokalë.

Grupi tha gjithashtu se bombardimet në Homs janë kryer në një zonë që është kryesisht e populluar nga alauitët, sekt të cilit i përket edhe presidenti Bashar al-Assad.

Top Channel