Nishani dekreton lirimin e Gërvenit

09/04/2014 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka dekretuar lirimin nga detyra të kundëradmiral Kristaq Gërveni, emri i të cilit është përfolur shumë së fundmi.

Sipas informacioneve të fundit, zyra e Presidencës ka vendosur lirimin e Gërvenit nga detyra në bazë të nenit 93 të Kushtetutës dhe pas propozimit të Ministrisë së Mbrojtjes.

Shkarkimi i kundëradmiral Gërvenit muajin e kaluar shkaktoi një përplasje mes dy institucioneve të sipërpërmendura.

Zyra e ministres Mimi Kodheli dekretoi shkarkimin e tij me argumentin se oficerit të lartë i kishte përfunduar mandati, veprim të cilin zyra e presidentit Nishani e cilësoi si shkelje të kompetencave.

Në fund të marsit Gjykata Administrative ngriu shkarkimin e përfaqësuesit të Shqipërisë në NATO, duke i dhënë të drejtë kërkesë-padisë së tij deri në fund të gjykimit në themel të çështjes.

Por tani që lirimin e tij nga detyra e dekretoi edhe presidenti Nishani, gjërat ndryshojnë. Vetë Gërveni kërkoi përmes një shkrese vendosjen e tij në një tjetër detyrë.

Top Channel