Rusia konfirmon vdekjen e Umarov

08/04/2014 00:00

Doku Umarov, kreu i guerrilasve të Kaukazit të veriut, është
neutralizuar. Kështu ka deklaruar Aleksandr Bortnikov, shefi i
shërbimeve sekrete ruse, FSB.

I ashtuquajturi emiri i Kaukazit ishte shpallur i vdekur disa herë më parë, por asnjëherë deri më sot nuk kishte pasur konfirmime zyrtare.

Duke drejtuar një mbledhje të komisionit kombëtar kundër terrorizmit, Bortnikov ka bërë të ditur se, “në tremujorin e parë të këtij viti, kreu i organizatës terroriste Imarat Kavkav, Doku Umarov, është neutralizuar përmes një operacioni special”.

Për herë të fundit vdekja e armikut numër 1 të Rusisë ishte njoftuar më 18 mars në faqen Kavkazcenter, organ zyrtar i guerrilasve islamikë të Kaukazit.

“Ai u bë shahid (martir)”, shkruante faqja e internetit. Umarov ka qenë regjisor i një seri sulmesh terroriste dhe aksionesh guerrilase.

I plagosur disa herë, por gjithmonë duke arritur të mbijetojë, në vitet e fundit emiri kishte marrë përsipër përgjegjësinë e atentatit vetëvrasës të vitit 2010 në aeroportin Domodedovo të Moskës, ku humbën jetën 37 persona, si dhe dy atentatet e ngjashme në metronë e kryeqytetit rus ku në total mbetën të vrarë 40 persona.

Top Channel