Duke iu referuar letres së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri,
drejtuar Presidentit të Republikës për të marrë masa ndaj disa
gjyqtarëve në apel për lirimin e një të arrestuari, opozita reagoi duke
thënë se ministri po hakmerret, pasi një nga gjyqtarët ka qenë ai që la
në fuqi masën e dënimit të Tahirit për shpifje, nga Gjykata e Shkallës
së Parë.

“Tahiri qorton në letrën e tij publike, dhe i kërkon Presidentit të marrë masa ndaj gjyqtarit Edmond Gogo. Gjyqtari Edmond Gogo ishte pjesë e trupit gjykues të Apelit, në fund të vitit 2012, kur vendosi të lërë në fuqi, vendimin e Gjykatës që Tiranës që e dënonte Saimir Tahirin me 10 milionë lekë gjobë për shpifje. I dënuari për shpifje sot është Ministër i Brendshëm, dhe po shfrytëzon pushtetin që ka për t’u hakmarrë ndaj një gjykatësi, ndaj një institucioni të pavarur, që vendos mbi bazën e fakteve dhe të ligjit. Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, po i tregojnë gjyqtarëve se ata duhet të konsultohen me Qeverinë para se të marrin vendime, po u tregojnë gjyqtarëve se ata janë hakmarrës dhe mbajnë shënime për secilin prej tyre. Ky akt është një shenjë shumë e keqe për demokracinë në vend, është minim i sigurisë juridike, pavarësisë së gjyqësorit dhe shkatërrim i institucioneve të pavarura, është shantazh i hapur dhe paralajmërim për çdo gjyqtar dhe për drejtësinë në vend”, tha deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.

Top Channel