Mister në Karaibe, 4 trupa të karbonizuar

08/04/2014 00:00

Mister në Bahamas. Në një ishull të vogël e të pabanuar janë gjetur
trupat e karbonizuar të katër personave, që dyshohet të jenë tre burra
dhe një grua.

Policia i ka rekuperuar trupat dhe po heton ngjarjen, por është herët të flitet për një pistë konkrete. Disa peshkatarë kishin sinjalizuar rojën bregdetare se kishin parë trupat në Anguila Kej, një rrip rëre mes Bahamasit, Floridës dhe Kubës.

Një helikopter i dërguar për mbikëqyrje nuk zbulon gjë, por vetëm pas një përpjekjeje të dytë gjen trupat e karbonizuar. Ata ishin të mbuluar nga copa gomash, me siguri të përdorur për të favorizuar flakët.

Hetuesit deklarojnë se kanë pak elemente mbi viktimat, pasi nuk dihet me siguri se si kanë vdekur dhe as gjinia dhe mosha. Nga ana tjetër, nuk ka gjurmë të ndonjë varke të braktisur apo të mbytur.

Ishulli është i shkretë dhe të vetmit që e shkelin ndonjëherë janë peshkatarët. Mediat lokale nuk kanë përjashtuar mundësinë që trupat të jenë të klandestinëve haitianë apo kubanezë që përpiqen të arrijnë brigjet amerikane.

Faktikisht, zona përdoret shpesh si tranzit nga varkat e përfshira në transportin ilegal të klandestinëve. Një tjetër hipotezë është edhe trafiku i drogës.

Zona në fjalë përbën një nga korridoret e përdorur nga varkat e shpejta të mbushura me kokainë, që e përdorin ishullin si stacion për të arritur Shtetet e Bashkuara.

Një nga teknikat e përdorura nga trafikantët është ajo e lëshimit të ngarkesave nga avionët e vegjël në det, ku kokainën e presin bashkëpunëtorët në bordin e motoskafëve.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel