FMN, ekonomia globale me +2,9% gjatë 2014-s

08/04/2014 00:00

Fondi Monetar Ndërkmbëtar ka bërë të ditur se ekonomia britanike do të jetë ajo me rritjen më të shpejtë nga vendet e G7-s këtë vit. Sipas FMN-së, Britania e Madhe do të ketë një rritje ekonomike prej 2,9% në 2014-n, bazuar mbi vlerësimin prej 2,4% gjatë muajit Janar, ndërkohë që do të ketë një rritje prej 2,5% gjatë vitit të ardhshëm, 2015.

Përgjithësisht, FMN ka deklaruar se ekonomia globale është përforcuar në fund të vitit 2013. Sipas parashikimeve të saj, ekonomia globale do të pësojë një rritje prej 3,6% këtë vit dhe prej 3,9% gjatë atij të ardhshmit, 2015.

Por, FMN sheh edhe risqe në tregjet e reja dhe paralajmëron mbi inflacione të ulta në ekonomitë e zhvilluara, por edhe për probleme gjeopolitike.

Parashikimet vijnë në Paraqitjen e fund të Ekonomisë Botërore sipas FMN-së (World Economic Outlook), që përfaqëson analiza dyvjeçare dhe projeksionet për zhvillimin ekonomik.

Javën e kaluar, shefja e FMN-së paralajmëroi se ekonomia globale mund t’i drejtohet për disa vite një “rritjeje shumë të ulët”, apo të papërfillshme stanjative. Christine Lagarde paralajmëroi se pa “veprimet e duhura”, bota mund të bjerë në një “situatë të rritjes tepër të ulët”. Sipas saj, ekonomia globale duhet të rritet mbi 3% këtë vit dhe atë pasardhësin, por ndjeshmëria e tregjeve dhe tensionet në Ukrainë shfaqin risqe të rëndësishme.

Lagarde nxiti gjithashtu liderët botërorë për më shumë veprime për të kontrolluar inflacionin e ulët në eurozonë.

FMN ul parashikimet për Rusinë
Ekonomia ruse do të vuajë edhe më shumë, nëse kriza e Ukrainës përshkallëzohet

Fondi Monetar Ndërkombëtar uli parashikimet për Rusinë e thotë se ekonomia e saj do të vuajë edhe më shumë, nëse kriza e Ukrainës përshkallëzohet.

Vendi i pasur me naftë do të ketë një rritje ekonomike prej 1,3%, thotë organizmi ndërkombëtar, një tkurrje e ndjeshme kjo, krahasuar me projeksionet e muajit Janar, që jepnin një tjetër shifër: 1,9%.

Të tjera parashikime, përfshirë ato të Bankës Botërore, paraqesin një tablo edhe më të zymtë, pasojë e largimit të kapitalit dhe një rritjeje urgjente të normës së interesit, që synon zbutjen e inflacionit therës prej zhvlerësimit të rublës.

Ajo ka humbur 8% të vlerës kundrejt dollarit amerikan këtë vit dhe indeksi kryesor i Rusisë në bursë ka rënë me më shumë se 10%.

Shtetet e Bashkuara dhe Europa kanë vendosur ndalim udhëtimi e ngrirje asetesh për disa zyrtarë të lartë rusë, përfshirë edhe figura të rrethit të brendshëm të Vladimir Putin. Sanksionet pasuan aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska, e mund të mos ndalen këtu.

Perëndimi kërcënon me masa të tjera edhe më të ashpra, nëse Rusia paraqet pretendime të ngjashme edhe për pjesë të tjera të Ukrainës, pavarësisht faktit që, nga të tilla lëvizje, mund të vuajnë edhe disa prej ekonomive europiane.

FMN-ja thotë, në raportin e saj vjetor, se kriza e Ukrainës nuk ka ende ndikim mbi ekonominë globale. Por, impakti i saj – paralajmëron Fondi Monetar Ndërkombëtar, – do të ndihet shumë përtej vendeve fqinje me Rusinë, nëse trazira të mëtejshme do të lëkundin tregjet apo do të prekin tregtinë, fluksin e energjisë e atë financiar.

Top Channel