Ruanda, përkujtohet 20-vjetori i genocidit

07/04/2014 00:00

Kombet e Bashkuara ndihen ende të turpëruar që nuk mundën të shmangnin genocidin në Ruanda, në vitin 1994, deklaroi shefi i OKB-së, Ban Ki-moon.

Ai foli para mijëra njerëzve në kryeqytetin Kigali të Ruandës, teksa vendi afrikan nisi javën e zisë zyrtare për të shënuar 20-vjetorin e genocidit.

Shumë njerëz nuk iu përmbajtën dot emocioneve gjatë ceremonisë, disa prej të cilëve kanë pasur edhe kriza. Të paktën 800 mijë njerëz, shumica të etnisë Tutsi dhe disa nga etnia Hutu, u vranë nga duart e ekstremistëve Hutu.

Vrasjet përfunduan në Korrik 1994, kur Fronti Patriotik i Ruandës (RPF), një lëvizje rebele e udhëhequr nga Tutsi-t, marshoi në Kigali dhe morën kontrollin e vendit.

Presidenti i Ruandës, Paul Kagame, dhe shefi i OKB-së, Ban Ki-moon, ndezën pishtarin që qëndroi i tillë për 100 ditë, po aq sa zgjati edhe genocidi.

Një grindje diplomatike ka detyruar Ruandën të mbajë larg ambasadorin e Francës, Michel Flesch, nga organizimet e përvjetorit, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Java e zisë nisi me një ceremoni vënie kurorash në memorialin kombëtar të genocidit, pas ndezjes së pishtarit në stadiumin Amahoro të Kigalit, ku paqeruajtësit e OKB-së mbrojtën mijëra njerëz gjatë genocidit.

Pishtari ka kaluar në të gjithë vendin përgjatë këtyre 3 muajve, duke vizituar 30 distrikte e duke kaluar nga fshati në fshat. Mijëra njerëz u mblodhën në stadium, pasi kishin qëndruar në radhë për orë të tëra mes mjegullës.

Shumë prej tyre reaguan me emocione të pakontrollueshme për historitë, fjalimet dhe performancat që rikujtonin genocidin. Disa prej tyre kanë dalë nga stadiumi për shkak të krizave.

Personeli i OKB-së në Ruanda gjatë genocidit tregoi “zotësi të jashtëzakonshme”, tha Ki-moon para turmës, sipas AP. “Por, ne mund të kishim bërë shumë më tepër. Duhet të kishim bërë më shumë”,tha ai. “Në Ruanda, trupat u tërhoqën atëherë kur populli kishte më shumë nevojë se kurrë për ta”, shtoi ai. “Një vit më pas, në Srebrenicë, zonat e pretenduara si të sigurta nga Kombet e Bashkuara u përballën me të njëjtin rrezik dhe njerëz të pafajshëm u vranë. Turpi ende na rëndon, disa gjenerata pas asaj ngjarjeje”, tha Ban Ki-moon.

Presidenti Kagame tha se Ruanda ishte “tërësisht e shkatërruar” pas genocidit, por arriti të menaxhonte më së miri situatën duke u ribashkuar. “Genocidi, thjesht nuk duhet të kishte ndodhur kurrë”, shtoi ai.

Top Channel