Rama prezanton prefekten e Vlorës

07/04/2014 00:00

Kryeministri Edi Rama nga Vlora, ku ka prezantuar Etjona Hoxhën, si
prefekten e re të këtij qarku, deklaroi se maxhoranca qeverisëse do të
përmbushë të gjitha zontimet e marra, duke ndërtuar institucione të
efektshme.

“Kemi kurajon dhe vendosmërinë që të shohim përpara dhe të ecim shpejt e më shpejt përpara për ta bërë realitet, rilindjen që Shqipëria kërkon, Rilindjen për të cilën ne u zotuam dhe Rilindjen që pa as më të voglin ndryshim, Vlora dhe vlonjatët meritojnë. Zotimet tona do t’i mbajmë dhe me to do ta ndryshojmë cilësisht jetesën e njerëzve në këtë vend. Ne duhet ta bëjmë shtetit, t’i bëjmë institucionet të afta që të krijojnë gjithmonë e më shpejt kushtet që Shqipëria të zhvillohet përmes punësimit, prodhimit, edukimit të duhur dhe përmes të gjithë atyre instrumenteve që garantojnë zhvillimin e qëndrueshëm në një vend normal”, tha Rama.

‘Jemi të vendosur, theksoi shefi ekzekutivit, për ta zgjidhur krizën energjitike, të cilën e ka quajtur të trashëguar nga një drejtim në baza militantizmi’.

Në fjalën e tij Sajmir Tahiri, Ministria e të cilit mbulon pushtetin vendor, deklaroi se “institucioni prefektit duhet reformuar në mënyrë që shërbimet ndaj qytetarëve të jenë akoma dhe më cilësore”.

Ndërsa Besnik Dervishi në fjalimin e tij të fundit si prefekt i këtij qarku deklaroi se në Vlorë do të marrin jetë projekte që dukeshin të pamundura.”Largohem nga kjo detyrë, sqaroi Dervishi, pasi Kryeministri Rama më ka ofruar një detyrë të re”.

Etjona Hoxha prefektja e re e Vlorës e quajti prezantimin, si një ditë të jashtëzakonshme nga barra e përgjegjësive, që burojnë nga ky nder, siç e quajti ajo, për të qenë prefektja e parë fermër në historinë e kryeqytetit të Pavarësisë.

“Nuk e di zoti Kryeministër, a do të jem dot në lartësinë e pritshmërisë tuaj ndaj meje, por do të bëj gjithcka për t’ua kthyer me punë, ndershmëri, rezultate konkrete këtë investim kaq të madh tek unë”, tha prefektja.

Fasonët, javën tjetër paketa fiskale

Pak përpara prezantimit të perfektes së Vlorës, kryeministri Rama vizitoi një fabrikë fasonësh në zonën e Nartës.

“Këtë muaj do të bëjmë edhe takimin me ju, që jeni në këtë industri për të shpallur paketën e masave që e kemi gati. Edhe atë pikë që e kishit merak, uljen e riskut në doganë, do ta realizojmë. Do të jetë risk i ulët, që të jetë vetëm punë orësh”, tha Rama, me drejtuesit e fabrikës.

PD: Rama bën show televiziv

Viziten e Kryeministrit Rama ne Vlore,Partia Demokratike e ka cilesuar nje shou televiziv, pasi sipas saj, asnje vend i ri pune nuk eshte hapur ne shtate muaj qeverisjë, as në Vlorë dhe as në qytete të tjera të vendit.

“7 muaj pas ardhjes në pushtet, në Vlorë nuk ka asnjë një vend të ri pune.7 muaj pas ardhjes në pushtet, në Vlorë kërcet tritoli, dhe trafiku i drogës përmes Vlorës ka vënë në alarm shtetet fqinje. Pikërisht në këtë situatë, Edi Rama bën show, sillet si një konferencier, duke drejtuar një spektakël të shëmtuar të largimit nga puna të një prefekti të dështuar. A janë vlonjatët më të sigurtë sot, sepse Edi Rama është bërë producent i shfaqjeve televizive? A kanë të rinjtë vlonjatë më shumë punë, a kanë të moshuarit pensione më të larta, a kanë familjet çmime më të mira të energjisë dhe ushqimeve bazë? Jo, asnjë gjë e mirë nuk ka ndodhur në Vlorë, qysh se Edi Rama u zgjodh deputet atje dhe Kryeministër. Ndaj, shfaqje si kjo e sotmja jo vetëm nuk e fshehin situatën e rënduar ekonomike, të rendit e sigurisë, por nxjerrin më në pah dështimin e kryeministrit dhe deputetit të Vlorës”, tha zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi.

Top Channel