Pistorius i kërkon falje familjes Steenkamp

07/04/2014 00:00

Oscar Pistorius, në një gjendje të ndjeshme emocionale, u kërkoi falje të hënën familjarëve të Reeva Steenkamp, të dashurës që vrau gjatë Shën Valentinit vitin e kaluar, duke thënë se ishte zgjuar duke menduar dhe duke u lutur për ta çdo ditë.

“Do të doja të merrja këtë mundësi për të kërkuar falje ndaj të gjithë të pranishmëve që janë këtu sot dhe që e njihnin atë, veçanërisht ndaj zotit dhe zonjës Steenkamp, por edhe familjarëve të tjerë të Reeva-s”, tha Pistorius, i cili doli për herë të parë në podiumin e gjyqit të tij për vrasje.

“Nuk mund ta imagjinoj dhimbjen, trishtimin dhe boshllëkun që u kam shkaktuar juve dhe gjithë familjarëve tuaj… Mund t’iu siguroj se, kur ajo shkoi të flinte atë natë ndihej tepër e dashuruar”, tha ai, teksa zëri nisi t’i ulej e të ngecte, për shkak se nisi të lotonte.

Ishte hera e parë që ai kishte folur në publik për vdekjen e Steenkamp, gjë që ai pretendon se ishte një aksident. Ai e konsideroi veten jo fajtor për vrasjen, kur nisi gjyqi i profilit të lartë muajin e kaluar.

Nëna e Steenkamp, June, ishte ulur dhe dëgjonte me vështrimin e saj të ngurtë fjalimin e ish-djaloshit të artë Olimpik të Afrikës së Jugut.

Gjykatësi Thokozile Masipa nuk shfaqi asnjë emocion teksa fliste Pistorius, por vetëm në një rast ndërhyri për t’i kërkuar atij të fliste me zë më të lartë, duke thënë se duhet ta dëgjonte shumë mirë atë që po thoshte.

E hëna ishte dita e parë e fazës së mbrojtjes në seancën gjyqësore ndaj tij, pas 3 javëve hetimi në muajin Mars.

Pistorius, i cili ka thënë se e kishte ngatërruar Steenkamp me një hajdut mes errësirës në shtëpi, dëshmoi se vuan çdo natë që pas tragjedisë dhe ngrihet në mëngjes e i duket sikur nuhat erë gjaku.

Ai tha për gjykatësit në Pretoria se kishte frikë të flinte dhe se “nëse dëgjonte zhurma natën, ngrihej me një gjendje tërësisht të terrorizuar e ankthi”. Ai shtoi se kishte nisur mjekimin, përfshi ndihmat anti-depresuese dhe ato për gjumin.

Pistorius e pranon se ishte ai që e vrau Steenkamp, duke e qëlluar 4 herë pas një dere të mbyllur, gjatë orëve të mëngjesit të 14 Shkurtit 2013. 3 prej plumbave kishin prekur atë, ndërsa i fundit besohet t’i ketë shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme, sipas patologut që kishte kryer autopsinë.

Gjyqi, që nisi më 3 Mars, pritet të vazhdojë deri nga mesi i muajit Maj.

Top Channel