PD: Rama gradon hajdutët e serverit

06/04/2014 00:00

Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ngre në detyrë personat përgjegjës për sulmin ndaj serverit të tatimeve.

Zëdhënësja e kësaj partie iu referua ish-këshilltarit të ministrit të Financave, një prej personave që sipas opozitës ka marrë pjesë në vjedhjen e të dhënave tatimore të biznesit dhe u emërua si drejtor i IT-së së kësaj ministrie.

“Duke shpërblyer këta persona ndaj të cilëve ka edhe kallëzim penal në Prokurori, Rama tregoi edhe një herë se ata shkuan natën në serverin e Tatimeve për të kryer detyrat e Ramës dhe Metës. Kryetari i grupit të manipulimit vihet në krye të sigurisë së pronave të shqiptarëve, bashkëpunëtori në krim vihet në krye të informacionit të financave shqiptare. Ndërkohë që Gjykata Kushtetuese i ka hapur rrugë hetimit parlamentar të skandalit të vjedhjes dhe manipulimit të të dhënave të biznesit të qytetarëve, Edi Rama ka marrë masa për t’u dhënë pushtet dhe trofe autorëve të krimit financiar. PD-ja i konsideron këto akte të kryeministrit si një thellim të skandalit. Nuk do të ndalemi derisa të zbardhim plotësisht ngjarjen, mekanizmin korruptiv dhe derisa të nxjerrim në dritë të gjithë përgjegjësit, pavarësisht sesa të forta i kanë lidhjet politike dhe pavarësisht bekimit që ata kanë marrë nga dyshja Rama-Meta”, tha Vorpsi.

Top Channel