Francë, përgjimet e ish-presidentit Sarkozy

06/04/2014 15:15

Ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy dhe bashkëshortja e tij, Carla Bruni do të nisin një aksion ligjor pasi një seri përgjimesh sekrete të tyre u publikuan në mënyrë të paligjshme në internet.

Sarkozy dhe Bruni do të paraqesin në gjykatë një padi, e cila do të kërkojë bllokimin e të gjithë publikimeve të tjera të mundshme.

Sipas tyre, përgjimet janë kryer prej një ish-bashkëpunëtori, Patrick Buisson, pa aprovimin e tyre.

Ndonëse pjesërisht intime dhe të sikletshme për shkak të referimeve ndaj figurave të tjera politike, bisedat nuk pritet të shkaktojnë ndonjë dëm politik, thonë korrespondentët.

Në një gazetë, ish-presidenti sulmoi ashpër Buisson, i cili duket se ka regjistruar dhjetëra orë mbledhje ose biseda private të Sarkozy në vitet 2007-12, kohë gjatë të cilës ai shërbente si president.

Në një deklaratë, avokati i Buisson konfirmoi se bisedat ishin regjistruar, por me qëllimin e vetëm që të mbahej një procesverbal i të gjithë takimeve.

Top Channel