
Në kuadrin e një vizite në Selanik, për të marrë pjesë në festën tradicionale të prerjes së pites së degës Omonia të këtij qyteti , kreu i PBDNJ-së dhe njëkohësisht nënkryetari i Parlamentit shqiptar , Vangjel Dule i shoqëruar edhe nga Zv. Ministrja e Mjedisit, Olijana Ifti si dhe nga nënkryetari i Omonias për Greqinë Jorgos Xhumakas, janë pritur nga ministri i Maqedonisë dhe Trakës, Theodhoros Karaoglou.
Në takim është folur midis të tjerash për ndihmën që po jep Athina zyrtare në çështjen e integrimit të Shqipërisë në BE, për negociatat e vështira në problemin e toponimeve si dhe për risjelljen në fuqi të ligjit për pensionet e minoritareve.
“Me gëzim të madh kemi pritur sot, në Ministrinë e Maqedonisë dhe Trakes, miq nga vendi fqinj dhe mik i Shqipërisë, miq me origjinë greke,personalitete politike, të cilët me veprën e tyre ndihmojnë akoma më shumë, në mënyrë që minoriteti grek në Shqipëri të jetë realisht një urë miqësie midis dy vendeve”, tha Theodhoros Karaoglou, ministri i Maqedonisë dhe Trakes.
“Patëm një takim në të cilin diskutuam situatën e të drejtave të pjesëtarëve të minoritetit grek në Shqipëri ,marrëdhëniet dypalëshe, me emfazë në perspektivën integruese të vendit tonë dhe marrjen e statusit të vendit- kandidat gjatë kohës së presidencës greke, në muajin Qershor, si dhe marrëdhëniet me gjerë në rajon”, tha Vangjel Dule, nënkryetari i Parlamentit shqiptar.
Dule eshte pritur gjithashtu edhe nga kryebashkiaku i Selanikut, Janis Boutaris në një takim të ngrohtë ku është folur për problemet e pushtetit lokal dhe shkëmbimin e eksperiencës sidomos me bashkitë e Korçës dhe të Durrësit që janë binjakëzuar me qytetin më të madh verior të Greqisë .
“Takimi kishte të bënte edhe me çështjet e përgjithshme të minoritetit grek në Shqipëri si dhe me përshpejtimin e frymës së bashkëpunimit të Bashkisë së Selanikut që është binjakëzuar prej kohësh me bashkinë e Korçës dhe së fundi me bashkinë e Durrësit”, deklaroi Janis Boutaris, Kryebashkiaku i Selanikut.
“Krahas kënaqësisë që është gjithnjë e dukshme në takimet me z. Boutaris, takimi kishte edhe një përmbajtje shumë domethënëse. Ekzistojnë shumë hapësira bashkëpunimi në të gjitha drejtimet, duke filluar nga bashkëpunimi në nivelin e pushtetit vendor, por edhe më gjerë”, tha Dule.
Më pas në ceremoninë vjetore të prerjes së pites ,kreu i Omonias së Selanikut, Kristo Bregu ka paraqitur edhe dy pjesëtarë te minoritetit , Agjeliki Filo dhe Eleni Louarasi, të cilat do të jenë kandidate në zgjedhjet e pushtetit lokal, përkatësisht si këshilltarë për prefekturën dhe bashkinë. Në fjalën e tij përshëndetëse kandidati për guvernator i Maqedonisë Qendrore, Janis Joanidhis ka theksuar se çështja e pensioneve të minoritarëve është në prioritetet kryesore të qeverisë greke.
Top Channel