Kanë kaluar plot 3 javë nga mbajtja e Komitetit të Stabilizim-Asociimit në Strasburg dhe Parlamenti Europian pret ende për rekomandimet e përbashkëta nga Kuvendi i Shqipërisë.

“Për herë të parë hasim në një situatë të tillë dhe kjo nuk është normale”, rrëfejnë për TCH burime pranë Sekretariatit të Parlamentit. “Zakonisht, ose miratohet, ose nuk miratohet deklarata e përbashkët në fund të takimeve të tilla. Kësaj radhe u pajtuam, që pala shqiptare të mblidhej në Tiranë brenda 5 ditësh dhe, ose do të njoftonin për mosarritjen e marrëveshjes, ose do të përcillnin versionin e tyre për deklaratën përfundimtare, që do t’i kalonte më pas eurodeputetëve, por ende nuk kemi dijeni, nëse palët do të sjellin një draft të përbashkët rekomandimesh”, thotë i njëjti burim.

Mësohet se kreu i delegacionit Eduard Kukan ka kontaktuar javën e kaluar bashkëkryetarin Taulant Balla.

“Ata po përpiqen, por ende nuk ka konsensus dhe vështirë të arrihet një qëndrim i përbashkët”, shprehen burime konfidenciale pranë zyrës së Kukan, të befasuar që mbledhja e pritshme e 18 Marsit nga pala shqiptare, u shty për të mërkurën dhe përfundoi në një korrespondencë shkresash mes selive partiake, meqenëse demokratët i kanë përcjellë socialistëve një draft-propozimesh, që po konsultohet ende prej tyre, siç mësohet të jetë shprehur gjatë bisedës telefonike drejtuesi i delegacionit shqiptar.

Më 13 Mars, opozita kërkoi kohë për t’u njohur me draft-konkuzionet e propozuara nga Sekretariati dhe amendimet e Kukan, që u pranuan nga socialistët. Pas një ore pushimi, të djathtët sollën një listë me 18 pika, ku u përfshinë pjesërisht edhe disa prej propozimeve të PE-së.

Delegacioni shqiptar u pajtua për 8 prej tyre, në prani të Sekretariatit dhe eurodeputetit Kukan, duke premtuar se diskutimi do të vijonte në Tiranë për çështjet e mbetura, si: rikthimi i të shkarkuarve nga Administrata; tërheqja e amendamenteve të shumicës nga rikompozimi i AMA-s, si dhe keqardhja për vonesën në zbatimin e vendimit të Gjykatës mbi shërbimin civil, gjë e cila nuk u pranua nga e majta, që vlerësonte se ishin respektuar ligjërisht afatet kohore.

Dënimi i blerjes së votës në Korçë (kërkesë e PD) dhe Reforma Territoriale-Administrative (propozim i Kukan) u rrëzuan gjithashtu në mbledhjen e Strasburgut. Komiteti ndërparlamentar i Stabilizim-Asociimit mblidhet dy herë në vit, për të vlerësuar respektimin e angazhimeve të ndërmarra 5 vjet më parë, që prej hyrjes në fuqi të MSA-së me BE.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel