BQE paralajmëron Rusinë për ekonominë

06/04/2014 16:45

Kriza në Ukrainë do të ketë një ndikim të madh në ekonominë ruse, por ajo që mbetet për t’u përcaktuar është ndikimi i kësaj krize në ekonominë e Bashkimit Europian.

Presidenti i Bankës Qendrore Europiane paralajmëroi Moskën se nëse kriza ukrainase do të zgjasë, ekonomia e saj do të pësojë një tkurrje drastike. Ai tha se mbetet për t’u përcaktuar ende efektet e krizës në vendet e Bashkimit Europian.

Ai tha se deri më tani, BQE ka vënë re një ndikim të madh të krizës në ekonominë ruse dhe ukrainase, si dhe në disa prej vendeve që i kufizojnë ato.

“Efektet në rritjen ekonomike të Rusisë janë të mëdha, por është shumë, shumë e vështirë për të përcaktuar ndikmin e krizës në 2-3 vitet e ardhshme”, tha Draghi.

Në terma afat-shkurtër presidenti i BQE-së tha se është vënë re një rritje e lehtë e cmimeve të lëndëve të para për energjinë, por kjo rritje, paralajmëroi Draghi, mund të jetë domethënëse në varësi të ngjarjeve në Ukrainë.

Më herët, për Reuters, Draghi tha se risqet gjeopolitike mund të dalin jashtë kontrollit me pasoja të mëdha, edhe pse ekonomia e Eurozonës ende nuk është prekur prej tyre.

“Nëse shohim situatën në Ukrainë në këndvështrimin ekonomik, nëse shohim sasinë e shkëmbimeve tregtare, shërbimeve financiare dhe shërbimeve të tjera, apo të kapitalit me atë rajon përpara krizës, mund të themi që këto shkëmbime nuk janë aq të rëndësishme dhe vështirë për t’u zëvendësuar”, tha kreu i BQE-së.

Por Draghi tha se ky ishte një këndvështrim i kufizuar i ngjarjeve i nisur nga faza fillestare e krizës. Ai vuri në dukje se ‘risku gjeopolitik rajonal, mund të gjenerojë zhvillime të reja me pasoja të mëdha për ekonominë europiane’.

E thënë me terma të thjeshtëzuar, Draghi i druhet një përkeqësimit të marrëdhënieve mes Bashkimit Europian dhe Rusisë që do të shkëpuste shkëmbimet tregtare me këtë vend. Një pjesë e madhe e vendve të Eurozonës kanë varësi të madhe energjitike nga gazi rus, përfshirë këtu Gjermaninë.

Top Channel