Vrasësi i Fort Hood, me probleme mendore

05/04/2014 00:00

Babai i ushtarit që vrau tre kolegë në bazën amerikane, përpara se të vriste veten e tij, deklaroi se i bir duhet të ketë pasur çrregullime mendore.

Ivan Lopez ka bërë thirrje për lutje për tre ushtarët që humbën jetën nga dora e djalit të tij në bazën Fort Hood, të mërkurën në Teksas.

“Im bir nuk duhet të ketë qenë në rregull nga mendja. Ai nuk ishte ashtu”, thotë i ati i ushtarit në një letër dërguar nga shtëpia e familjes në Puerto Rico të premten.

Ndërkohë, një hetues ushtarak deklaroi të premten se ekzistojnë prova se ushtari ka pasur një debat para se të hapte zjarr, duke vrarë tre dhe plagosur 16 persona të tjerë. Por hetuesit nuk vlerësojnë gjendjen e tij mendore si arsyen për vrasjet.

Të shtënat u verifikuan në dy ndërtesa të bazës Fort Hood, ku specialisti Ivan Lopez, që ka të njëjtin emër me të atin, thuhet të ketë hyrë dhe të ketë hapur zjarr me pistoletën e tij gjysmëautomatike të kalibrit 45.

Më pas ai hipi në një automjet dhe vazhdoi të qëllonte përpara se të hynte në një ndërtesë tjetër dhe të hapte zjarr sërish. Ai ndaloi kur u gjend përpara një oficereje femër në parkingun e makinave, ku dhe qëlloi veten në kokë.

Emrat e viktimave u publikuan vetëm të premten, ata janë rreshteri Daniel Ferguson, rreshteri Carlos Lazaney Rodriguez dhe kolegu i tyre Timothy Owens, përkatësisht 39. 38 dhe 37 vjeç.

Top Channel