Brazil, aksion masiv në favelat e Rios

05/04/2014 00:00

Rreth 3 mijë trupa speciale braziliane po përgatiten të hynë në lagjet më të rrezikshme të Rio de Zhaneiros.

Bëhet fjalë për operacionin më të madh që kur autoritetet filluan të frenojnë epërsinë e bandave të drogës në zonat kyçe të qytetit në prag të Kampionatit Botëror.

Tanke, helikopterë dhe autoblinda po përdoren në operacionin në lagjen Favela da Mare. Trupa elitë pritet të qëndrojnë në zonë deri në përfundim të evenimentit sportiv.

Për dekada të tëra, zona në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të Rios ka qenë e kontrolluar nga disa prej grupeve më të fuqishme të drogës në vend.

Luftërat e ashpra mes grupeve kriminale rivale shpesh herë kanë çuar në mbylljen e autostradës që lidh qendrën e qytetit me aeroportin dhe rrugë të tjera të rëndësishme të Rios, ku do të luhet dhe finalja e Kupës së Botës.

Trupat ushtarake do të zëvendësojnë ato policore që hynë në zonë të dielën e kaluar, në fazën e parë të marrjes nën kontroll të zonave.

Rreth 300 nga 2 mijë agjentët e policisë ushtarake që morën pjesë në aksionin e javës së kaluar kanë qëndruar atje. Ata pritet të largohen menjëherë pasi 2.700 ushtarë, shumica e të cilëve trupa elitë, do të sigurojnë zonën.

Ndërkohë, hapësira ajrore mbi lagjen e varfër është mbyllur për një afat të pacaktuar, duke detyruar avionët të ndërrojnë zonat e uljes apo të ndryshojnë kurs.

Programi për kthimin e qetësisë në Rio filloi në nëntor 2008 dhe që atëherë janë verifikuar disa përplasje mes policisë dhe bandave, por sipas mediave lokale, operacioni mbështetet nga qytetarët.

Top Channel