Vrasja e 11-vjeçares Lyhana trondit Francën, protesta të shumta kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë
Qeveria e Kievit do të vijojë me masat shtrënguese, pavarësisht se aspak popullore, “si çmim të Pavarësisë”, ndërkohë që Rusia rrit presionin ndaj Ukrainës për ta destabilizuar atë, përfshi rritjen e çmimit të gazit, bëri të ditur kryeministri Arseniy Yatsenyuk për “Reuters”.
39-vjeçari Yatsenyuk, i cili u vu në krye të detyrës si kryeministër i përkohshëm muajin e kaluar, pas rrëzimit të Viktor Yanukovych dhe largimit të ministrave të tij për shkak të protestave në “Euromaidan”, pranoi se do të ishte shumë e vështirë “nën prezencën aktuale ruse” të çbësh atë që ai e përshkroi si “krim ndërkombëtar” të Rusisë me aneksimin e Krimesë.
Por, ai shtoi se Ukraina nuk do ta njohë kurrë rrëmbimin e rajonit jugor ukrainas nga Rusia, në këmbim të vendosjes së marrëdhënieve të mira.
“Dua të jem më se i qartë. Nuk do ta njohim kurrë aneksimin e Krimesë. Do të vijë sërish koha, kur Ukraina do të rimarrë kontrollin e Krimesë”, tha ai duke folur në anglisht, i ulur në selinë e ndërtuar nga epoka sovjetike, nën ngjyrat verdheblu të flamurit ukrainas.
Ai e ka quajtur vetveten si lider të një qeverie “kamikaze”, të dënuar për ndërmarrjen e masave shtrënguese jopopullore, por tha se Ukraina duhet të vijojë në rrugën e nisur, përfshi këtu dyfishimin e çmimit të gazit për konsumatorët vendas nga 1 Maji, si dhe uljen e pensioneve shtetërore dhe pagave, për shkak të tkurrjes me 3% të ekonomisë dhe rritjes së inflacionit tashmë dyshifror.
Mbështetja shpëtimtare financiare e FMN-së prej 14-18 miliardë dollarë në këmbim të reformave të forta ekonomike do të ishte një “hap i jashtëzakonshëm përpara”, tha ai.
“Ne do të rifitojmë besimin dhe kredibilitetin e investitorëve të huaj. Kjo është rruga që do të ndjekë Ukraina”, shtoi ai. Qeveria e Kievit ka deklaruar se pa masat shtrënguese të sugjeruara nga FMN, ekonomia do të kishte rënë me 10% këtë vit.
Top Channel