Twitter, Erdogan kritikon gjykatën

04/04/2014 00:00

Kryeministri turk Recep Tayip Erdogan ka kritikuar vendimin e gjykatës që urdhëronte zhbllokimin e rrjetit social Twitter.

Gjykata deklaroi një ditë më parë se autoritetet e telekomunikacionit duhet të heqin bllokadën dyjavore pasi përbënte një shkelje të lirisë së shprehjes.

Zoti Erdogan kishte bërë thirrje për bllokimin e Twitter pasi përdoruesit kishin publikuar atje akuza për korrupsion që përfshinin të birin e tij dhe të disa ministrave. Ai deklaroi se qeveria e tij kishte pranuar vendimin e gjykatës për Twitter, por nuk e respektonte atë.

“Nuk më duket e drejtë dhe patriotike që Gjykata Kushtetuese ka marrë një vendim të tillë. Teksa ata mbrojnë kompaninë amerikane, vlerat tona kombëtare dhe morale po zhvlerësohen”, deklaroi Erdogan.

Ndërkohë, të premten një gjykatë tjetër ka dhënë një urdhër të ngjashëm për zhbllokimin e Youtube. Megjithatë, vendimi në fjalë parashikon që 15 video të mbeten të bllokuara.

Përdoruesit në mbarë vendin kanë gjetur shumë mënyra për të shmangur bllokadat, veprime këto që janë kritikuar ashpër. Ditën e enjte, ekipi politik i Twitter u shpreh se ndihej i inkurajuar nga lajmi nga Turqia dhe ftoi përdoruesit turq që të rikthehen në rrjetin social.

Ndërsa urdhëri i qeverisë për bllokimin e Youtube erdhi pas publikimit të një videoje që tregonte bisedën e disa zyrtarëve të lartë turq mbi mënyrën se si të organizonin një sulm të fshehtë brenda Sirisë. Në video dëgjohej ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu që pyeste për mundësinë për të dërguar tanke atje.

Videoja ishte postuar nga një përdorues anonim dhe deri tani nuk është verifikuar si autentike. Erdogan pretendon se gjëra të tilla janë sajuar nga rivalët e tij politikë për ta hedhur nga pushteti.

Top Channel