SHBA: Ne, prapa Twitter-it kubanez

04/04/2014 00:00

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se një agjenci e mbështetur nga qeveria
amerikane ishte prapa shërbimit të mesazheve tekstuale që u projektua
për të nxitur trazirat në Kubë.

ZunZuneo, i njohur ndryshe si “Twitter-i Kubanez”, kishte 40 mijë abonente, numër ky i konsideruar i lartë duke parë aksesin e kufizuar të vendit në internet.

Sipas agjencisë së lajmeve “Associated Press”, projekti ka zgjatur nga viti 2009 në 2012, kur fondi i parashikuar për të u ezaurua.

Thuhet se Shtetet e Bashkuara i fshehën linqet e tyre në rrjet përmes firmave të produkteve detare dhe duke i kaluar mesazhet përmes vendeve të tjera.

Deri tani nga qeveria kubaneze nuk ka pasur një reagim lidhur me ngjarjen. Korrespondentja e BBC në Havana thotë se atje ka etje për informacion, për shkak të mungesës së medias së pavarur.

Skema, gjithmonë sipas agjencisë “Associated Press”, u hartua nga Agjencia e SHBA për Zhvillimin Ndërkombëtar, USAID, organizatë që vepron nën kupolën e Departamentit të Shtetit.

Në një deklaratë për shtyp të mbajtur të enjten, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney deklaroi se projekti ishte debatuar më parë në Kongres dhe kishte kaluar të gjitha kontrollet.

“Këto janë disa nga ato ambjente ku një program si ky dhe shoqata e tij e lidhur me qeverinë amerikane mund të krijojnë probleme për shtetin dhe shoqërinë”, deklaroi Carney.

“Kështu që rezervimi në lidhje me këtë është i domosdoshëm, por jo sepse është një program i fshehtë apo i shërbimeve sekrete. Për shkak sepse nuk është asnjë nga dy opsionet”, saktësoi zëdhënësi.

Ndërkohë, zëdhënësi i USAID, Matt Herric tha për BBC se agjencia është krenare për punën e saj në Kubë dhe se ka punuar atje për të ndihmuar njerëzit për të kërkuar të drejtat e tyre dhe për t’i lidhur me botën jashtë.

Sidoqoftë, lajmi mund të minojë deklaratat e vazhdueshme të USAID se nuk kryen operacione të fshehta në vendet ku zbaton programet e ndihmës.

Top Channel