Rusia akuzon 25 ukrainas për sulme terroriste

04/04/2014 00:00

Shërbimi i Sigurimit Federal të Rusisë (FSB) tha se ka arrestuar 25 shtetas ukrainas, duke i akuzuar ata se kishin planifikuar sulme terroriste gjatë kohës që në Krime do të mbahej referendumi.

FSB bëri të ditur se personat e arrestuar janë anëtarë të lëvizjeve ultra-nacionaliste dhe po përgatisnin sulme terroriste brenda Rusisë. Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës i cilësoi akuzat si të pakuptimta.

Tensionet janë rritur ndjeshëm që pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë. NATO thotë se Rusia vazhdon të ketë me mijëra trupa ushtarake përgjatë kufirit lindor me Ukrainën.

Gazetari i BBC-së ka raportuar nga Moska, duke thënë se FSB pretendon se 3 nga të arrestuarit janë anëtarë të grupit nacionalist ukrainas.

Ukrainasit akuzohen se kanë fotografuar lëvizjen e trupave ruse dhe po përpiqeshin të lidhnin kontakte me elementë ekstremistë në Rusi.

Në një deklaratë të FSB-së cilësohet se të arrestuarit kishin planifikuar sulme mes 14 dhe 17 Marsit në Rostov, Volgograd, Tver , Orel , Belgorod , Kalmykia dhe në rajonin Tatarstan.  

Më herët, zyrtarët e qeverisë së Kievit akuzuan Moskën, duke pretenduar se më shumë se 30 agjentë të FSB ishin përfshirë në operacion kundër protestuesve anti-qeveritarë në Kiev.

Shefi i Shërbimit të Sigurimit të Ukrainës, Valentyn Nalyvaychenko tha se FSB kishte dërguar armë dhe eksploziv në rrugë ajrore në Ukrainën.

Më shumë se 100 protestues u vranë në trazirat që nisën Nëntorin e kaluar, kur presidenti i atëhershëm  Viktor Janukoviç braktisi marrëveshjen me BE-në në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë.

Top Channel