Iran, rritja e ekzekutimeve, motive politike

04/04/2014 00:00

Në komunitetin e vogël të minoritetit arab, ku jetonte në Iranin jug-perëndimor, Hashem Shaabani ishte i njohur si mësues, një avokat i të drejtave civile dhe një poet. Por, për Republikën Islamike ai shihej si një kërcënim.

Shaabani, 32 vjeç, u arrestua në Shkurt 2011 dhe u akuzua se i përkiste një grupi të armatosur separatist. Familja e tij ka pasur kontakte tepër minimale me të, që pas arrestimit, dhe në fund të Janarit të këtij viti ata morën lajmin shokues: Shaabani ishte ekzekutuar.

“Kjo më bën të pyes veten, përse jetojmë në një shoqëri ku ndodh diçka e tillë? – tha një miku i tij, i cili nuk dëshironte të identifikohej për arsye sigurie. – Gjithashtu më bën të mendoj se kemi ende një rrugë të gjatë për të bërë, përpara se të arrijmë demokracinë dhe lirinë”.

Që kur presidenti Hassan Rouhani, një president relativisht i moderuar, mori detyrën Gushtin e kaluar në Iran, ka pasur një rritje të ekzekutimeve. Të paktën 537 njerëz janë ekzekutuar në 8 muajt e kaluar, afro 200 prej të cilëve nga fillimi i këtij viti, sipas shifrave të deklaruara nga Qendra e Dokumentimit të të Drejtave të Njeriut në Iran. Një shifër e lartë, po ta krahasosh me totalin për vitin 2013 prej 624 ekzekutimesh, sipas të dhënave të mbledhura nga Kombet e Bashkuara.

Disa nga aktivistët e të drejtave të njeriut i frikësohen faktit se ata që kundërshtojnë Rouhani-n dhe negociatat e tij me fuqitë Perëndimore në lidhje me programin bërthamor të vendit, po i rrisin numrin e ekzekutimeve për ta dobësuar atë.

“Duket më shumë si një shfaqje kërcënimi nga ideologjistët e linjës së ashpër, të cilët duan të tregojnë se zgjedhja e Rouhani-t nuk do të ndikojë në politikat e tyre të brendshme”, tha Hadi Ghaemi, drejtor ekzekutiv i Fushatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Iran. “Ata e dinë se të gjitha ekzekutimet do të jenë të monitoruara rreptësisht dhe të dënuara nga komuniteti ndërkombëtar. Ata thjesht sa po përpiqen të minojnë Rouhani-n, si brenda dhe në arenën ndërkombëtare”.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, si dhe zyrtarët më të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut e kanë dënuar tashmë rritjen e numrit të ekzekutimeve.

Vjeshtën e kaluar, Ali Younesi, këshilltar i Rouhani-t për çështjet etnike dhe fetare të minoriteteve, tha para një grupi liderësh politikë të minoriteteve se “ekstremistët” ishin përgjegjës për një nxitim të ekzekutimeve të të burgosurve kurdistanë, sipas një raporti të agjencisë së lajmeve Rooz Online.

Përfaqësuesit e linjës së ashpër në Iran kanë këmbëngulur gjatë për ekzekutimin e atyre që konsiderohen prej tyre si një kërcënim ndaj sistemit. Në 2010-n, pas trazirave kundër zgjedhjes së pasardhësit konservator të Rouhani-t, kreu i Këshillit të Sigurimit, një trupë që skualifikon rregullisht kandidatët reformues për Parlament, bëri thirrje për më shumë ekzekutime ndaj protestuesve.

Personi, me fuqinë më të lartë për të luftuar ekstremistët në Drejtësi apo kudo tjetër, Lideri Suprem Ayatollah Ali Khamenei, i cili thotë fjalën e fundit edhe për të gjitha çështjet e tjera shtetërore, nuk ka bërë ende asnjë lëvizje për të ndikuar në uljen e ekzekutimeve.

Top Channel