Berlusconi në spital, inflamacion të gjurit

04/04/2014 00:00

Silvio Berlusconi i është nënshtruar një rezonance magnetike në gju gjatë mëngjesit të së premtes, në spitalin “San Raffaele” të Milanos, ku është shtruar që prej mbrëmjes së të enjtes.

Testi ka zbuluar një inflamacion të indit kërcor në gjurin e majtë dhe një gjendje artrosi në përputhje me moshën e tij, sipas raportimeve të bazuara mbi burime të brendshme spitalore.

Pas vizitës së pasdites nga mjekët, do të vendoset se kur do ta lërë spitalin lideri i “Forza Italia”.

Për të ndjekur shtrimin në spital të Berlusconi-t, përveç mjekut të tij të besuar, kreun e Anestezisë dhe Reanimacionit të “San Raffaele”-s, Alberto Zangrillo, është vënë në dispozicion edhe mjeku ortoped Pietro Randelli, i Poliklinikës “San Donato”, pa llogaritur ortopedët e spitalit milanez.

Pas shtrimit në spital, Silvio Berlusconi ka anuluar takimin elektoral që do të duhej të zhvillohej të hënën në Torino. Lajmi është bërë i ditur nga koordinatori rajonal i “Forza Italia”, Gilberto Pichetto.

“Presidenti – është shprehur Pichetto, gjatë një deklarate – na ka komunikuar se do të përpiqet të rikuperohet deri në minutën e fundit për të hënën. Megjithatë, besoj se është më e drejtë që t’i rezervojmë urimet për rikthimin në gjendje të mirë shëndetësore, duke e shtyrë takimin në Piemonte për një tjetër datë”.

Top Channel