Afganistan, qëllohen dy gazetare të huaja

04/04/2014 00:00

Dy gazetare të huaja janë qëlluar me armë zjarri në lindje të Afganistanit, nga një person i veshur si polic, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, që citon burime policore, një nga gazetaret ka vdekur ndërsa tjetra është plagosur rëndë. Bëhet fjalë për një fotografe dhe një reportere të agjencisë së lajmeve “Associated Press”, me nënshtetësi gjermane.

Mësohet se pak më vonë është arrestuar autori i ngjarjes, që ka ndodhur në një qytet të vogël në provincën lindore të Kostit, në kufirin mes Afganistanit dhe Pakistanit.  Episodi vjen teksa autoritetet kanë intensifikuar masat e sigurisë në prag të zgjedhjeve presidenciale që zhvillohen të shtunën.

Presidenti i ri do të pasojë Hamid Karzain, në pushtet që prej vitit 2001, kur ra pushteti i talebanëve, por që Kushtetuta i ndalon kandidimin për një mandat të tretë rresht.

Kjo i bie të jetë hera e parë që pushteti transferohet në rrugë demokratike. Por dhuna e talebane përbën një kërcënim serioz, sidomos teksa NATO po bëhet gati për t’u tërhequr nga vendi.

Masat e sigurisë janë përforcuar në shkallë kombëtare, me rreth 200 mijë trupa që janë vendosur në terren për të parandaluar sulmet eventuale të guerrilasve, që kanë kërcënuar me sabotimin e procesit zgjedhor.

Korrespondenti i BBC në Afganistan, David Lyon thotë se zgjedhjet po mbrohen përmes operacionit më të madh ushtarak që nga rënia e talebanëve.

Zinxhirë sigurie janë vendosur përreth çdo qendre votimi, me policinë e vendosur në qendër dhe qindra trupa jashtë tyre. Gjithashtu, ka hyrë në fuqi edhe heshtja zgjedhore.

Nëse askush nuk fiton mbi 50 për qind të votave në këtë raund, atëherë do të duhet të mbahet një balotazh. Në raportimin e tij, i dërguari i BBC njofton se është thuajse e sigurtë se zgjedhjet do të shoqërohen me akuza dhe dhunë.

Sipas tij, rruga drejt këtyre zgjedhjeve historike ka qenë e përgjakshme dhe frika për manipulime ekziston. Por ndërkohë, një kulturë e re politike po del dalë nga dalë mbi sipërfaqe, vijon reporteri i rrjetit britanik në raportimin e tij.

Top Channel