Rusia thërret ambasadorin e saj në NATO

03/04/2014 00:00

Rusia thërriti ambasadorin e saj në NATO për konsultime gjatë së enjtes, dy ditë pasi vendet anëtare të NATO-s pezulluan bashkëpunimin me Rusinë për shkak të krizës me Ukrainën, raportoi media shtetërore ruse.

Gjenerali Valery Yevnevich do të rikthehet në Moskë pas veprimeve të NATO-s, bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve ITAR-Tass, duke cituar deklaratën e zv/ministrit rus të Mbrojtjes, Anatoly Antonov, për gazetarët.

“Politika e përkeqësimit qëllimisht të tensioneve nuk është zgjidhje e jona. Megjithatë, ne nuk shohim asnjë mundësi për të vazhduar bashkëpunimin ushtarak me NATO-n në një regjim rutinë”, është cituar të ketë thënë Antonov.

Ai akuzoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, se ka bërë “deklarata provokuese” në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s, më herët gjatë kësaj jave, si dhe vuri në dyshim hapat e mëtejshëm të NATO-s për të rritur prezencën e saj në Europën Lindore.

Më herët, ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha gjithashtu se Moska dëshiron përgjigje nga NATO, në lidhje me aktivitetet e saj në Europën Lindore, pasi aleanca ushtarake perëndimore tha se do të shtojë mbrojtjen për anëtarët e saj lindorë.

Lëvizja e Rusisë për të aneksuar rajonin e Krimesë nga Ukraina, muajin e kaluar, shkaktoi krizën më të ashpër Lindje-Perëndim që pas Luftës së Ftohtë dhe rriti frikën mes fqinjëve të saj në Europën Lindore.

Në Ukrainë, raporti më i fundit i lëshuar mbi vrasjet e protestuesve në kryeqytetin ukrainas, gjatë demonstratave anti-qeveritare në Shkurt, thotë se vrasjet ndodhën për shkak të urdhrit të presidentit të rrëzuar Viktor Yanukovych.

Raporti paraprak i qeverisë ukrainase implikon Yanukovych, një president pro-Moskës, në planifikimin e fshehtë të një serie sulmesh me snajpera në Kiev, të mbështetura nga Rusia, gjatë tubimeve që eventualisht e detyruan atë të largohej përtej kufirit.

Në një konferencë për shtyp, ministri i Brendshëm, Arsen Avakov, tha se provat tregojnë se Yanukovych dha urdhër të drejtpërdrejtë ndaj snajperëve për të hapur zjarr mbi protestuesit, ndërsa Yanukovych, tashmë i gjendur në Rusi, ka mohuar çdo përgjegjësi personale për gjakderdhjet.

Ndërkaq, kreu i prodhuesit shtetëror rus të gazit natyror, “Gazprom”, tha se do ta rrisë edhe më tej çmimin e gazit për Ukrainën, deri në 485 dollarë për 1000 metra kub në Prill, i cituar nga agjencia ITAR-Tass.

Shefi ekzekutiv i “Gazprom”-it, Alexei Miller, tha se çmimi do të rritet gjatë një takimi me kryeministrin rus, Dmitry Medvedev, i cili nxiti Ukrainën të pagujë borxhet e kaluara të furnizimit me gaz.

Top Channel