Izraeli anulon lirimin e të burgosurve

03/04/2014 00:00

Izraeli ka anuluar lirimin e grupit të katërt të të burgosurve palestinezë, për shkak se udhëheqësit palestinezë kanë kërkuar njohjen e mëtejshme nga OKB-ja.

Ministrja izraelite e Drejtësisë, Tzipi Livni, tha se veprimet e palestinezëve shkelin akordin për lirimin, gjë që ishte pjesë e procesit të paqes të mbështetur nga SHBA, por që deri më tani ka ecur me ngecie të vazhdueshme.

Izraeli kërkon tashmë rishikimin e procesit, tha zëdhënësja e ministres Livni.

Lideri palestinez, Mahmoud Abbas, ka aplikuar në 15 konventa të OKB-së, duke akuzuar Izraelin për neglizhencë dhe mosmbajtje të premtimeve të tij.

Një zëdhësës izraelit tha për BBC se vendimi për të anuluar lirimin u është komunikuar edhe palestinezëve gjatë një takimi përgjatë natës.

Ministrja Livni nxiti palestinezët të shmangin masat e njëanshme dhe të rikthehen në tryezën e negociatave, tha zëdhënësja e saj.

Lirimi i mëparshëm i 3 grupeve të të burgosurve palestinezë është parë si një veprim aspak popullor për publikun izraelit, për shkak se shumica e atyre që janë liruar janë dënuar për vrasjen e izraelitëve.

Gjithsesi, shumë palestinezë i konsiderojnë të burgosurit e liruar si heronj dhe kanë festuar gjatë për lirimin e tyre nga burgjet izraelite. Kjo pengesë e re me të burgosurit pritet të shtojë dyshimet për përpjekjet e paqes në Lindjen e Mesme, të nxitura edhe prej Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.

Top Channel