Yanukovych: Aneksimi i Krimesë, tragjedi

02/04/2014 00:00

Ish-presidenti i Ukrainës, Viktor Yanukovych, e përshkroi aneksimin e Krimesë nga Rusia një tragjedi.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Associated Press” dhe kanalin rus “NTV”, ai shprehu shpresën që “Krimea t’i kthehet sërish Ukrainës. Yanukovych ndodhet aktualisht në Rusi, ku vendosi të largohej pas protestave në rrugë. Ai tha se po përpiqet të bindë presidentin rus, Vladimir Putin, t’ia kthejë Krimenë Ukrainës.

“Krimea është një tragjedi, tragjedia më e madhe – tha ai. – Ne duhet ta caktojmë këtë objektiv dhe të kërkojmë rrugët për kthimin e Krimesë me çdo kusht, që të ketë shkallë më të lartë të pavarësisë, por të jetë pjesë e Ukrainës”.

Ai tha se “nëse do të kishte qëndruar në pushtet, do të ishte përpjekur të ndalonte referendumin”, duke e cilësuar atë “një lloj proteste kundër udhëheqësve të rinj pro-perëndimorë”.

Viktor Yanukovych tha se nuk kishte dhënë asnjë urdhër për të qëlluar protestuesit anti-qeveritarë në përleshjet e armatosura në Kiev.

Muajin e kaluar, mbi 100 persona humbën jetën në rrugët e kryeqytetit të Ukrainës. Sipas tij “të shtënat erdhën nga kampi i opozitës dhe jo nga forcat speciale të policisë”. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Ukrainë do të zhvillohen më 25 Maj.

“Rusët mund të pushtojnë për 12 orë Ukrainën”
Gjenerali Philip Breedlove, i shqetësuar për invazion të mëtejshëm të Rusisë

Shefi ushtarak i NATO-s ka paralajmëruar ditën e mërkurë se trupat ushtarake ruse mund të hyjnë në territorin ukrainas brenda 12 orëve, nga dhënia e një urdhri të tillë, në një kohë që frika për një invazion edhe më të gjerë të Moskës në rajonin lindor ukrainas vijon ende të jetë në fuqi.

Gjeneral Philip Breedlove, komandant suprem i aleancës së NATO-s në Europë, tha për CNN se me 40 mijë trupa të rreshtuar pranë kufirit ukrainas, Rusia plotëson të gjitha kushtet e nevojshme për të hyrë në Ukrainë.

Këto forca janë “të mbështetur nga avionë qarkullues, avionë mbështetës nga krahët, e gjithë logjistika e nevojshme për të bërë një inkursion të suksesshëm, nëse ata do ta kërkojnë një gjë të tillë”, tha ai.

Breedlove tha se NATO ka një plan tepër të mirë ajror dhe detar, teksa do të punojë në ditët në vijim edhe për zhvillimin e një strategjie tokësore, për t’u siguruar që mësymja ruse të mos funksionojë.

Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por shumë vende të tjera që janë tashmë, përfshi Poloninë dhe shtetet baltike, kanë ngritur zërin vazhdimisht të shqetësuar nga veprimet e fundit të Rusisë.

NATO njoftoi të martën pezullimin e të gjitha bashkëpunimeve praktive civile e ushtarake me Rusinë, në kundërpërgjigje të aneksimit të rajonit jugor ukrainas, Krimesë, që ka shkaktuar edhe krizën më të keqe mes Lindjes dhe Perëndimit, që prej Luftës së Ftohtë. NATO deklaroi gjithashtu se nuk ka vërejtur asnjë shenjë nga Moska të tërheqjes së trupave nga kufiri lindor i ukrainës, siç pretendon të ketë bërë Rusia.

Anders Fogh Rasmussen, shefi i NATO-s, duke folur nga Brukseli në përfundim të takimit dy ditor të ministrave të Jashtëm të bllokut 28-antarësh, tha se ndan të njëjtin shqetësim me Breedlove.

Ai akuzoi Rusinë se është përpjekur të intimidojë Ukrainën, si pjesë e përpjekjeve të saj për “të rikthyer sferën e influencës ruse në hapësirat e ish-Bashkimit Sovietik”.

Rasmussen tha sërish se Rusia ka dërguar “forca masive ushtarake përgjatë kufirit me Ukrainën”, trupa që janë në gjendje të lartë gatishmërie, dhe se NATO nuk ka parë asnjë përpjekje për reduktimin e tyre. “Kjo është një çështje tepër shqetësuese. Nëse Rusia do të ndërhyjë më tej në Ukrainë, nuk do të hezitoja ta quaja atë një gabim të madh historik”, tha ai.

“Një veprim i tillë do të çonte në një izolim edhe më të thellë ndërkombëtar të Rusisë. Por, do të kishte edhe pasoja tepër të thella në marrëdhëniet mes Rusisë dhe asaj që në përgjithësi mund të quhet bota Perëndimore. Do të ishte një keqllogaritje me implikime tepër të mëdha strategjike”.

Top Channel