Kryevepra të pikturës botërore në kuzhinën e një fermeri

02/04/2014 00:00

Dy kryevepra të pikturës botërore, njëra e punuar nga Paul Gauguin dhe tjetra nga Pierre Bonnard kanë qëndruar si stoli në kuzhinën modeste të një fermeri italian, pa dijeninë e këtij të fundit.

Me një vlerë prej rreth 10.6 milion eurosh, dy pikturat mendohet se janë vjedhur nga banesa e një koleksionuesi në Londër në vitin 1970 dhe më pas janë braktisur në një tren të linjës Paris-Torino.

Në vitin 1975, pa qenë në dijeni të vlerës së tyre, dy pikturat u hodhën në një ankand të sendeve të humbura dhe u blenë në atë kohë për 45 mijë lira, (sot rreth 23 euro) nga një punonjës i fabrikës së prodhimit të automjeteve FIAT, dashamirës i artit.

Ai i strehoi fillimisht në banesën e tij me qira në Torino dhe më vonë, pas daljes në pension i mori në vendlindjen e tij, në Siçili. Djali i tij do të kuptonte vlerën e vërtetë të këtyre pikturave. Kur ishte duke shfletuar një koleksion të pikturave të Paul Gauguin ai vuri ngjashmëri teknike në punim dhe iu drejtua autoriteteve për të vërtetuar nëse vepra i përkiste artistit të famshëm të shekullit të 19.

Pas verifikimeve u vërtetua se vepra ishte “Frutat mbi tavolinë, jeta e ngrirë dhe një qen i vogël”, vepër e vitit 1889 e Gauguin dhe me një vlerë që mund të shkojë nga 10 mln deri në 30 mln euro.

Vepra tjetër i përkiste Pierre Bonnard dhe titullohet “Gruaja mbi karrige” që vlerësohet rreth 600 mijë euro.

Të dy artistët janë të njohur në punët e tyre. I pari, Gauguin një mjeshtër i post-impersionizmit ishte i famshëm edhe për lidhjet e tij kreative me Vincent Van Gogh, ndërsa miku i tij, francezi Pierre Bonnard shihet si një ndër koloristët më të mëdhenj të artit modern.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel