Egjipt, vritet shefi i policisë

02/04/2014 00:00

Një gjeneral i policisë egjiptiane është vrarë kur tre bomba kanë shpërthyer paraditen e së martës në afërsi të Universitetit të Kajros.

Mediat egjiptiane, të cilat citojnë autoritetet lokale, bëjnë me dije se të paktën pesë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga shpërthimet. Dy bombat e para shpërthyen në pakë minuta diferencë nga njëra-tjetra, ndërsa e treta rreth dy orë më vonë.

Egjipti ka përjetuar sulme të ndryshme kundër objektivave qeveritarë nga grupet militante, që pas rënies së presidentit Mohammad Morsi në korrik të vitit të kaluar.

Vetë qeveria pro-ushtarake thotë se militantët kanë vrarë të paktën 500 persona që nga vera e kaluar, shumica e të cilëve policë dhe ushtarë.

Në vend ekziston frika për një rritje të dhunës në prag të zgjedhjeve presidenciale të majit, ku do të garojë edhe ish-kreu i ushtrisë, gjenerali Al Sisi.

Shpërthimet e fundit kanë ndodhur në afërsi të një njësie policie të vendosur pranë hyrjes kryesore të Fakultetit të Inxhinjerisë. Autoritetet deklaruan se policia ka qenë shënjestër e atentateve, që thuhet të jenë realizuar me bomba artizanale.

Televizioni shtetëror egjiptian e citoi oficerin e lartë të vrarë me emrin Tariq al Mirjawi, shef i departamentit hetimor GIZA.

Top Channel