Aleanca për ndarjen e Venetos, 24 të arrestuar

02/04/2014 00:00

Një operacion i forcave të rendit shkatërroi një organizatë të emërtuar “Aleanca”, e cila po përgatiste një sërë nismash, edhe të dhunshme, për të arritur shkëputjen e zonës së Venetos nga Italia.

24 persona kanë përfunduar në pranga në Itali dhe 51 të tjerë janë nën hetim me akuzën e terrorizmit, akteve kundër shtetit dhe mbajtje armësh lufte. Është dokumentuar se ka pasur kontakte të shumta me organizata kriminale shqiptare, për furnizimin me armë të militantëve italianë.

Në mënyrë artizanale, ata kishin ndërtuar një tank, që do të shërbente për një sulm simbolik në “Piazza San Marco” të qytetit të Venecias. Organizata kishte në plan që në aksion të merrnin pjesë qindra persona të armatosur dhe kishte degët e saj në Lombardi, Veneto e Toskanë.

Mes të arrestuarve është edhe ish-deputeti Franco Rocchetta, themeluesi i Lidhjes së Venetos, e një prej ideatorëve të referendumit të zhvilluar kohët e fundit në Internet. Ky referendum, në të cilin duket se janë shprehur dy milionë persona, kërkon shkëputjen e Venetos nga Italia. Hetuesit kanë zbuluar se organizata vetëfinancohej dhe ka mbledhur mbi 100 mijë euro, një pjesë e të cilave do të përdorej për blerjen e armëve të lehta me ndihmën e organizatave shqiptare.

Një akt të ngjashëm arritën të realizojnë të ashtuquajturit “Serenissimi”, më 8 Maj të vitit 1997, duke arritur të hipin në këmbanoren e “San Marco”-s, duke lënë në shesh një tank, të ngjashëm me atë që është zbuluar së fundmi.

Top Channel