Shqiptarët që konkuruan në “zërat e botës”

01/04/2014 00:00

Janë ngjitur në skenat e “talentshow”-t më spektakolar “The Voice” në Evropë.

Elhaida Dani, Marsela Cibukaj, Albulena Krasniqi, Gentiana Mërtiri, Violeta Kokollari dhe së fundmi Enrika Derza kanë shkëlqyer ndër zërat më të mirë të të rinjve në Itali, Gjermani e Zvicër.

Elhaida Dani ishte kulmi i suksesit të zërave shqiptarë në “The Voice”. Me 71% të votave të italianëve, 20-vjeçarja triumfoi duke thyer çdo paragjykim. Me talentin e saj, këngëtarja shqiptare dëshmoi dhe njëherë se muzika nuk njeh kufij.

Marsela Cibukaj, një nga zërat më të dashur të “The Voice of Albania”, na dhuroi sërish emocione nga një tjetër “Voice”, ai i Italisë. Këngëtarja e njohur u cilësua si një nga zërat më të bukur edhe pse nuk arriti në finale.

Gentiana Mërturi, 17 vjeç, është një tjetër shqiptare që ka bërë për vete jurinë e një “Voice” përtej Shqipërisë. “E pabesueshme se sa bukur po këndon”, i është drejtuar Nena, këngëtarja e famshme gjermane që ishte pjesë e jurisë në “The Voice of Germany”.

Po në të njëjtin “talentshow” ishte pjesëmarrëse edhe Albulena Krasniqi, një vajzë 21-vjeçare e cila pati një rrugëtim të bukur edhe pse nuk arriti ta prekte finalen.

Violeta Kokollari, një tjetër shqiptare arriti të shkonte më larg se Gentiana dhe Albulena në “The Voice of Germany”. Është cilësuar si diamant zëri i saj nga anëtarët e jurisë.

Ashtu sikurse dhe zëri i Enrika Derzës. Nuk është fjala për pjesëmarrjen e saj në “The Voice of Albania”, por në “The Voice of Switzerland”. Garimi i këngëtares shkodrane nuk ka vetëm pak ditë që ka përfunduar.
 
“Më ka kontaktuar një shtëpi diskografike zvicerane dhe të shohim si do të shkojë, por nuk mendoj se jam gati për një album. Ma kanë pëlqyer shumë zërin kudo ku kam shkuar dhe habiten që unë nuk kam frekuentuar asnjë shkollë”, tha Enrika në studion e “Pasdite në Top Channel”.

Vajza që ende nuk i ka mbushur 18 vjeç i është shumë mirënjohëse spektaklit “The Voice of Albania”: “Po të mos ishte për “The Voice of Albania” nuk do të merrja guximin të provohesha në Zvicër. Sot do të isha duke kënduar vetëm në shtëpinë time.”

Top Channel