Raporti i Senatit zbulon abuzimet e CIA-s

01/04/2014 00:00

CIA vazhdimisht keqinformoi qeverinë amerikane lidhur me dhunën dhe
efikasitetin e metodave të saj të marrjes në pyetje, raporton
“Washington Post”.

Një raport i shumëpritur i Senatit amerikan tregon se CIA përdori “zona të zeza” sekrete për të marrë në pyetje të burgosurit, duke përdorur teknika të papërmendura më parë.

Mes tyre përfshihet zhytja e të dyshuarve në ujë të akullt dhe përplasja e kokës së tyre pas murit. Raporti tregon se këto veprime janë bërë në kohën e ish-presidentit George W. Bush.

Zyrtarë që kanë vëzhguar dokumentin sekret deklaruan se programi i CIA-s për marrjen në pyetje solli pak të dhëna të dobishme.

Ata thanë gjithashtu që këto informacione kanë qenë të ekzagjeruara në mënyrë që programi të dukej më efikas.

Raporti është rezultat i një hetimi të gjerë nga komiteti i shërbimeve sekrete në Senatin amerikan, mbi aktivitetet e CIA-s, që nisi nga puna në vitin 2009.

Komiteti do të mblidhet të enjten për të vendosur nëse do t’i dërgojë një përmbledhje të raportit presidentit Barack Obama për një publikim të mundshëm të tij.

Zyrtarë nga selia qendrore e CIA-s urdhëruan oficerët që të vazhdonin me marrjet e ashpra në pyetje, edhe pse ishin të bindur se të burgosurit nuk kishin më informacion, shkruan më tej “Washington Post”.

Një zyrtar deklaroi se pothuajse të gjitha informacionet nga i dyshuari si anëtar i Al Kaedës, Abu Zubaida, ishin siguruar para se ndaj tij të aplikohej 83 herë metoda e simulimit të mbytjes me ujë.

Raporti gjithashtu flet për ndasi brenda CIA-s, në shenjë proteste ndaj kushteve në të cilat mbaheshin të burgosurit.

Top Channel