NATO pezullon bashkëpunimin me Rusinë

01/04/2014 00:00

Ministrat e Jashtëm të NATO-s kanë rënë dakord të pezullojnë të gjitha bashkëpunimet praktike, civile apo ushtarake, me Rusinë.

Sekretari i Përgjithshëm Anders Fogh Rasmussen tha se aneksimi nga Rusia i rajonit ukrainas të Krimesë ishte kërcënimi më i madh ndaj sigurisë europiane pas shumë e shumë vitesh. Ai deklaroi se për këtë çështje nuk mund të bëhet “biznes”.

Më herët, ai kishte mohuar kategorikisht raportimet se Rusia ishte duke tërhequr forcat ushtarake nga kufiri me Ukrainën.

Moska besohet të ketë dislokuar me dhjetra-mijëra trupa në kufirin lindor të Ukrainës, gjatë ditëve të fundit, duke shkaktuar alarm në Kiev dhe për Perëndimin.

Ministrat e Jashtëm nga blloku ushtarak i Atlantikut Verior prej 28 anëtarësh u mblodhën në Bruksel për takimin e parë që pas aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë, duke lëshuar kështu një deklaratë të fuqishme, në të cilën ata dënuan aneksimin “ilegal” nga Rusia të rajonit ukrainas të Krimesë.

Ata ranë dakord të pezullojnë bashkëpunimin e NATO-s me Rusinë në disa aspekte, por shtuan se dialogu në Këshillin NATO-Rusi do të vazhdojë, për sa kohë të jetë i nevojshëm, në nivel ambasadorësh “në mënyrë që të na lejojë të shkëmbejmë pikëpamjet tona, mbi të gjitha për krizën në fjalë. Ne do të rishohim marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë në takimin e ardhshëm tonin, në Qershor”.

Ministrat kanë marrë në shqyrtim edhe opsione të tjera, përfshi këtu vendosjen e përhershme të bazave ushtarake në shtetet balltike për të siguruar vendet anëtare në Europën Lindore. Veprimet e Rusisë në Ukrainë kanë shkaktuar shqetësime në Estoni, Letoni dhe Lituani, të cilat kanë qenë pjesë e ish-Bashkimit Sovietik gjatë Luftës së Ftohtë.

Avionët e NATO-s do të marrin pjesë në patrullime nga ajri në rajonin e trazuar, në periudhën në vijim, në një stërvitje rutinë të cilën analistët thonë se kanë marrë një domethënie të veçantë për shkak të krizës. Disa vende të NATO-s, përfshi Britaninë, Shtetet e Bashkuara dhe Francën, kanë ofruar avionë ushtarakë shtesë.

Duke shpallur pezullimin formal të marrëdhënieve, Rasmussen tha se mesazhi i NATO-s ishte i qartë: Aleanca qëndron në krah të aleatëve, në krah të Ukrainës dhe në krah të sistemit ndërkombëtar të rregullave, që janë krijuar e zhvilluar në dekadat e fundit. Ai nxiti Rusinë të bëhet pjesë e një zgjidhjeje “në respektim të ligjit ndërkombëtar dhe kufijve të Ukrainës”.

Ai tha gjithashtu se NATO do t’i ofrojë Ukrainës më shumë akses në stërvitjet e aleancës dhe mbështetje në zhvillimin e mëtejshëm të ushtrisë së saj.

NATO: S’ka tërheqje të trupave ruse

Për NATO-n trupat ruse nuk janë tërhequr nga kufiri me Ukrainën. Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Anders Fog Rasmusen nënvizoi se mënyra më e mirë për ta zgjidhur krizën, është përmes dialogut politik. “Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës sfidon vizionin tonë për një Europë të lirë dhe në paqe”, tha ai.

Ministrat e Jashtëm të NATO-s po diskutojnë mënyrat për të ndihmuar Ukrainën dhe për të garantuar aleatët në Europën lindore. Kjo lëvizje vjen pasi Rusia, muajin e kaluar aneksoi Krimenë.

Ndërkohë Moska paralajmëroi Kievin kundër integrimit në NATO. Ministria e Jashtme tha se “një përpjekje e tillë në të shkuarën ka çuar në ngrirjen e marrëdhënieve politike mes Rusisë dhe Ukrainës, ishte një “dhimbje koke” për marrëdhëniet mes NATO-s dhe Rusisë dhe shkaktoi një ndarje të thellë brenda shoqërisë së Ukrainës”.

Të hënën, presidenti rus, Vladimir Putin i tha Kancelares gjermane Angela Merkel se kishte urdhëruar tërheqjen e pjesshme të trupave ruse pranë kufirit lindor me Ukrainën.

Top Channel