NATO mblidhet për Ukrainën

01/04/2014 00:00

Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s pritet të diskutojnë mënyrat për të ndihmuar Ukrainën dhe për të siguruar aleatët në Evropën lindore, në një takim në Bruksel.

Kjo është hera e parë që ministrat nga 28 vendet anëtare do të mblidhen që nga marrja e Krimesë nga Rusia, veprim ky që shkaktoi një krizë diplomatike mes Moskës dhe Perëndimit.

NATO ka përkrahur zhvillimin e stërvitjeve ushtarake vjetore që do të mbahen me vendet baltike më vonë gjatë vitit. Ditën e hënë, Rusia urdhëroi tërheqjen e pjesshme të trupave të saj nga kufiri me Ukrainën.

Presidenti Vladimir Putin i tha kancelares gjermane Angela Merkel se kishte dhënë urdhërin, bëri të ditur një burim nga qeveria gjermane. Mijëra ushtarë rusë mbeten gjithësesi të vendosur përgjatë kufirit lindor të Ukrainës.

Ndërkohë, kolosi rus i energjitikës, Gazprom, duke filluar nga kjo e martë do të rrisë çmimin e caktuar për gazin për Ukrainën.

Shefi ekzekutiv i kompanisë, Alexei Miller deklaroi muajin e kaluar se Kievi nuk kishte paguar detyrimet e tij, që dyshohet se shkojnë mbi 1.5 miliardë dollarë.

Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit u ngritën pas rënies nga pushteti të presidentit pro-rus Viktor Yanukovych në shkurt, pas muajsh të tëra protestash. Vendimi i mëpasshëm i Moskës zyrtare për të aneksuar Krimenë shkaktoi një krizë në marrëdhëniet dypalëshe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vendosën sanksione ndaj njerëzve të afërt me presidentin Vladimir Putin dhe zyrtarëve të tjerë rusë, ndërkohë që nga ana e saj Rusia vendosi sanksionet e veta ndaj politikanëve amerikanë.

Top Channel