Japonia heq embargon e armëve

01/04/2014 00:00

Japonia do të lehtësojë embargon e vetëvendosur të armëve, për herë të
parë në pothuajse 50 vjet, raporton agjencia e lajmeve “Kyodo”.

Në të kaluarën të gjitha shitjet e mjeteve ushtarake ishin të ndaluara, edhe pse ka pasur teknologji ushtarake që u është ofruar vendeve të tjera, kryesisht Shteteve të Bashkuara.

Kushtet e reja do t’i lejojnë Japonisë të zhvillojë industrinë e armëve bashkë me aleatët dhe t’i ofrojë akses asaj në tregjet e reja dhe në teknologji.

Lëvizja ka gjasa që të shihet me dyshim nga Kina, e cila e ka akuzuar vazhdimisht Japoninë për rritje dhe zgjerim të sektorit ushtarak.

Japonia kishte miratuar një Kushtetutë paqësore pas Luftës së Dytë Botërore, që i ndalon pjesëmarrjen në luftë, përveç rasteve kur bëhet fjalë për vetëmbrojtje.

Për dekada të tëra vendi aziatik respektoi tre parimet e: moseksportimit të armëve në vendet nën regjim komunist, në ato që janë subjekt i embargove të OKB-së dhe në ato të përfshira në konflikte ndërkombëtare.

Këto tre parime u miratuan në vitin 1967 dhe më vonë u kthyen në një imbargo të mirëfilltë të vetëvendosur. Por kryeministri Shinzo Abe është i prirur të mbështesë përforcimin e sigurisë kombëtare dhe gjithashtu të lehtësojë disa nga kufizimet që Japonia i ka vendosur vetes për Luftës së Dytë Botërore.

Në bazë të kësaj politike, kufizimet e eksporteve për vendet e përfshira në konflikte ose që janë nën embargon e OKB-së do të mbeten në fuqi.

Eksportet do të lejohen në rastet kur ato kontribuojnë për paqen globale dhe i shërbejnë interesave të Japonisë, raporton agjencia e lajmeve “Kyodo”.

Top Channel